Paga në dorë, Rama: E papranueshme, do marrim masa të forta! Bizneset duhet të bashkëpunojnë

Në vijim të turit në shkollat profesionale për të orientuar të rinjtë drejt një tregu të garantuar, kryeministri Rama foli për reformën e sigurimeve shoqërore dhe luftën ndaj informalitetit.

Nga Elbasani, teksa ishte ditën e sotme në Shkollën Profesionale të këtij qyteti, Rama tha se qeveria do të marrë masa të forta që bizneset të deklarojnë pagat e plota, gjë që reflektohet më vonë edhe në pensione.
“Besoj unë që rruga më e thjeshtë për t’ua thënë të gjithëve është që kur pranojnë të bashkëpunojnë me sipërmarrës në shkelje të ligjit dhe të deklarohet një pagë më e ulët dhe një pjesë tjetër të merret në dorë për të mos paguar sigurimet shoqërore, faktikisht i japin sipërmarrësit mundësinë që padrejtësisht të marrë nga pensioni i gjyshe dhe i gjyshit.

Ky është thelbi sepse ai i sigurimeve shoqërore aty që secili e paguan për pensionin e vet kur të dalë në pension dhe që shumëkujt i duket si një gjë që nuk do të ndodhë kurrë, se “deri sa të dal unë unë pension, punë e madhe fort’’, në fakt është pjesa që shkon në arkën e sigurimeve shoqërore dhe përdoret për të paguar pensionet e gjyshërve, siç kur t’i vijë radha atyre që paguajnë sot sigurimet që të jenë pensionistë, do të jenë të tjerët që do të paguajnë për ta dhe në këtë pikë duhet me pas shumë më tepër vetëdije dhe duhet me vënë barrikadën aty që çfarë më jep, të lutem shumë shënojë këtu edhe unë dua pagën të plotë, të pastër me sigurime shoqërore brenda, dhe shëndetësore se ndryshe pastaj është e kotë të themi, rriteni pensionin e gjyshes, rritni pensionin e gjyshit sepse rritja e pensionit të gjyshes dhe gjyshit lidhet në radhë të parë me sa të gjithë bashkë”, tha ai.

Duke u ndalur te rritja e pagave për mësuesit, Rama theksoi se do të ketë rritje tjetër.
“Një pagë dinjitoze, natyrisht që do ta rrisim më tutje, por është në radhë të parë rezultat i rritjes ekonomike dhe rritjes së mundësive sepse ne kemi zgjeruar mundësitë. Sfida kryesore është zgjerimi i mundësisë për pensionistët, kjo është pjesa më e vështirë”, shtoi ai.