Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar një marrëveshje të Serbisë me SHBA-në së fundi dhe përmendi edhe marrëveshjet e tjera që lidhi Serbia me Gjermaninë e Francën.
Hoti thotë se derisa Serbia po nënshkruan marrëveshje të tilla, Kosova është në është nën masa financiare nga BE-ja, ndërsa ka edhe paralajmërime të tjera nga vendet e BE-së e SHBA.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruajnë marrëveshje me Serbinë për bashkëpunim strategjik shumëvjeçar në fushën e energjisë, fushë që është bërë çështje e sigurisë kombëtare. Serbia gjithashtu hyn në marrëveshje me Gjermaninë për shfrytëzimin e litiumit, si dhe me Francën për furnizim me avionë ushtarakë. Në anën tjetër, Kosova është nën masa financiare nga BE-ja për më shumë se një vit, të cilat i kanë bllokuar reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së, siç përcaktohet me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosovë-BE të vitit 2016. Së fundmi, Kosova po kërcënohet nga vendet kryesore të BE-së me përjashtim nga Procesi i Berlinit, i cili është mekanizmi formal i përgatitjes së Ballkanit Perëndimor për integrim evropian. Po ashtu, kanë ardhur paralajmërime nga SHBA-ja se mund të ndërpritet bashkëpunimi me Policinë e Kosovës”.
Hoti tha se qytetarët duhet të pyesin kryeministrin Kurti e presidenten Osmani se pse s’u zbatua marrëveshja që u nënshkrua derisa ai ishte shef i qeverisë, si dhe projekte tjera.
“Çdo qytetar sot duhet të pyesë Kurtin dhe Osmanin: Përse nuk u zbatua Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila pritej të zgjidhte problemin e furnizimit me energji në Kosovë? Përse u anulua projekti i gazit? Përse nënçmohej partneriteti me SHBA për gaz duke iu referuar “aleanca e gypave”? Përse nuk u nis me amerikanët hekurudha për Durrës? Përse nuk u zbatua “Marrëveshja Kosovë-SHBA e 31 dhjetorit 2020 për nxitjen e investime”, e cila pritej të mobilizonte investimet amerikane në Kosovë? Kujt i përshtatet moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit nga ana e Kosovës?”
Cenimi i partneritetit strategjik të Kosovës me SHBA-në duhet të jetë alarm shqetësues për secilin qytetar që e do Kosovën në BE dhe NATO, e në partneritet të ngushtë me SHBA-në, thotë Hoti.
Ai tha se zgjedhjet e ardhshme duhet të ndërpresin “qeverisjen e dëmshme” për Kosovën.
“Më 9 shkurt 2025 qytetarët vendosin për qeverisjen e ardhshme. Kjo është dita kur duhet të marrë fund kjo qeverisje e dëmshme për Kosovën, si dhe për aleatët e Kosovës që duan ta shohin popullin e Kosovës pjesë të familjes së popujve në BE dhe NATO”./Express/