Në orët e mbrëmjes të së mërkurës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka aterruar një aeroplan ushtarak britanik.
Ata do t’i bashkohen forcave të KFOR-it në Kosovë.
Lajmin për aterrimin e tyre e bëri të ditur NATO-ja përmes një postimi në X.
“Një kontingjent prej mbi 300 trupash nga regjimenti ‘Royal Yorkshire’ i Mbretërisë së Bashkuar do të vendoset përkohësisht në Kosovë dhe do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se qëllimi i këtij ushtrimi është të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me misionin e KFOR-it.
Stërvitja mbështet gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve përkatëse të sigurisë, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm dhe efektiv të mandatit, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Në përfundim të stërvitjes, kontingjenti do të ridislokohet dhe do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.
Tutje thuhet se KFOR-i do të marr të gjitha masat e nevojshme për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rrjedhojë e lëvizjeve të personelit ushtarak dhe automjeteve në prag dhe gjatë këtij ushtrimi. /Telegrafi/