Qeverisë së Kosovës i është bërë thirrje që t’i marrë më seriozisht kërcënimet që i bëri këshilltari i kancelarit të Gjermanisë, Manuel Sarrazin, në fund të javës që shkoi. Ai ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë marrëveshjeve rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, nëse nuk i heq masat e sigurisë ndaj produkteve serbe. Njohësit druajnë se kjo do të rezultojë me izolim të mëtejshëm të Kosovës.
Përveç kritikave për veprime të njëanshme në veri të vendit, Qeveria e Kosovës së fundmi është kritikuar edhe për mospajtim me aleatët për arritjen e një marrëveshjeje për CEFTA-n.
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se nuk ka mundur ta bindë kryeministrin Albin Kurti që të hiqen masat e sigurisë ndaj produkteve serbe që i ka vendosur Kosova.
Për këtë Sarrazin ka përmendur se Kosova mund të ketë pasoja, duke mbetur jashtë Procesit të Berlinit.
Këtë paralajmërim njohësit po e shohin si shqetësues për vendin.
Ish-drejtori i Doganës, Naim Huruglica, ka thënë se megjithëse shtetet jo-njohëse të Kosovës janë shkelëse madhore të CEFTA-s dhe marrëveshjeve në Procesin e Berlinit, Kosova do të humbte duke mos u bërë pjesë e marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen në tetor.
“Pa zgjidhjen e statusit të Kosovës, në kuptimin e pjesëmarrjes brenda organizatës si e barabartë unë nuk shoh mundësi si mund të lëvizim përpara në njohjen e diplomave apo në lëvizjen e lirë të tregut të punës – ku ata duan të dalin, ku për shembull një i ri kosovar të mund të punësohet dhe t’i njihet diploma brenda një vendi të CEFTA-s kur e njëjta Serbi apo Bosnjë-Hercegovinë edhe sot e kësaj dite nuk lejojnë asnjë mall kosovar në rast se në tiketat e njoftimit të mallit shkruan Republika e Kosovës”, është shprehur Hurugulica.
Huruglica ka thënë se largimi i UNMIK-ut nga përfaqësimi i Kosovës në CEFTA është i domosdoshëm.
Ai ka theksuar se nëse do të ndodhë ashtu siç ka paralajmëruar Sarrazin, që marrëveshjet do të lidhen me pesë shtete e jo gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, do të ishte humbje e madhe për vendin.
“Faktikisht ky është njëfarë kërcënimi direkt. Nuk mund të them saktësisht, se nuk e di saktësisht se sa është i drejtpërdrejtë, i mundshëm ky lloj kërcënimi, por normalisht që për Kosovën do të ishte humbje e madhe nëse ne përjashtohemi prej Procesit të integrimit evropian dhe Procesit të Berlinit, sepse vetë procesi parasheh përparësi të mëdha për vendet anëtare dhe do të ishte për keqardhje nëse ne nuk do të ishim pjesë e tij”, ka thënë Huruglica.
E politologu Artan Muhaxhiri thotë se në rast se do të ketë marrëveshje që lidhen në kuadër të Procesit të Berlinit pa Kosovën, kjo do ta dëmtonte vendin politikisht.
“Një deklaratë e tillë e ashpër tregon që janë harxhuar të gjitha mundësitë diplomatike prapa skenave dhe tani është në opsion vetëm presioni publik i cili aktualisht po ndodh, pra është një momentum shumë i vështirë për Qeverinë e Kosovës, veçanërisht për shkak se Gjermania ka qenë një përkrahëse shumë e madhe e Kosovës dhe kjo do të jetë një pikëpyetje e madhe e cila do t’i determinojë raportet edhe në të ardhmen. Është absolutisht obligative që Qeveria ta rimendojë pozicionin e saj sepse në të kundërtën do të ketë një theqafje dhe një bllokim të plotë të pjesëmarrjes së Kosovës në proceset ndërkombëtare e edhe dëmtim në aspektin politik”, ka thënë Muhaxhiri.
E në Qeveri janë arsyetuar duke thënë se Gjermania po i ngatërron masat e sigurisë me masat që kanë për qëllim ngadalësimin e tregtisë.
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë të premten në “Interaktiv” të KTV-së se Kosova është konstruktive në raport me Procesin e Berlinit.
“Konstatimi se Kosova është bllokuese është i gabuar, nuk jemi bllokues. Ne jemi anëtari më aktiv i Procesit të Berlinit. Pse e them këtë: nga propozimet që na dërgohen për marrëveshje për samitin, e që janë 7 marrëveshje që i kishin dërguar, ne i propozuam edhe 4 të tjera, nga 8 deklarata që i kanë dërguar për t’i ratifikuar, ne i kemi dërguar edhe 20 të tjera”, është shprehur ai.
Sipas Zulfajt, kërkesa e Kosovës ka qenë që të përfaqësohet pa fusnotë, por fusnotën Qeveria e ka ofruar si kompromis për t’u hequr UNMIK-u nga CEFTA.
“Kërkesa jonë është e drejtë. Dhe pse është e drejtë ka pasur mirëkuptim edhe nga BE-ja që ka tentuar ta adresojë këtë çështje, por kur është involvuar Gjermania dhe Sarrazini – ishte në kohën më 2022 kur kishim dy vjet që po negocionim brenda Procesit të Berlinit. Aty kemi shtruar kërkesën që nëse s’jemi në organizatë rajonale pa barazi s’është e pranueshme. Kërkesa ka mbetur aty. Prej 2021 kemi bllokadë nga Serbia. Kompromisi ka qenë që të jemi pa asterisk si periudhë kalimtare. Ia kemi ofruar këtë Sarrazinit”, ka thënë Zulfaj.
Kosova ka vënë ndalesë ndaj produkteve serbe në qershor të vitit të shkuar, pasi Serbia kidnapoi tre policë kufitarë të Kosovës, me arsyetimin se po kërcënohet siguria në vend. Më pas Qeveria zbuti masën, duke lejuar futjen e produkteve bazë, por jo edhe atij final.
Ndërkohë, Zulfaj ka thënë se rreziku nga Serbia është real dhe sulmi paramilitar e terrorist në Banjskë është dëshmi për këtë. Ka thënë, po ashtu, se vlerësimi i sigurisë u takon institucioneve të sigurisë dhe nuk është barrierë tregtare, por masë e sigurisë që derivon nga vlerësimet e sigurisë.
Në një intervistë për KOHËN, javën që shkoi, Sarrazin ka thënë se Gjermania do t’i shtyjë përpara marrëveshjet e Procesit të Berlinit edhe pa Kosovën.
“Tash ne kemi parimin kryesor në Bashkimin Evropian dhe tash veç mund ta bllokosh veten dhe më duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës se do të vazhdojmë me marrëveshje për këto çështje, lidhur me tregun e lirë të përbashkët, edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme. Ky është mesazhi im i sotëm”, ka thënë diplomati gjerman.
Ai e thumboi Qeverinë edhe për politikë parazgjedhore me çështjet që ndërlidhen me Serbinë. Ndalesën e sigurisë e cilësoi si “të ashtuquajtur”.
“Ju e keni një fushatë zgjedhore që po vjen, kështu që duhet të bëni vetë qëndrimet e juaja për këtë gjë. Por mund të them lirshëm dhe sinqerisht se më është thënë nga njerëzit se nuk ka më pak armë në veri për shkak të së ashtuquajturës ndalesë sigurie. Nuk e kuptoj pse disa mallra e produkte po lejohen në kufi e disa jo. Kompanitë tona gjermane, si shembull, po vuajnë. Cili është problemi? A mendoni se në disa lëndë të para nuk mund të fshihni armë, por në produktet tona gjermane ka armë të fshehura? Jo”, ka thënë ai.
Sipas tij, procesi nuk do të ndalet dhe se Kosova mund ta bllokojë vetëm veten.
Në këtë intervistë ai tha se Kosova është mikja më e rëndësishme e Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor “me ose pa litiumin e Serbisë”.
Ai foli edhe për marrëveshjen e arritur mes vendit të tij dhe Serbisë për mihjen e litiumit.
“Po e kuptoj se në Kosovë krijohet përshtypja se ne kemi shumë nevojë për Serbinë, por do t’ju qetësoj, duke thënë se Serbia ka nevojë për Bashkimin Evropian , për shkak se ende nuk është fuqi botërore”, tha Sarrazin.