Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në gusht ishte në një vizitë zyrtare në Kroaci, aty afër saj nuk shihej Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci.
Berishaj është i përfolur për një skandal financiar në sektorin e energjisë, gjë për të cilën ishte thirrur për intervistim edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës në komision.
Opozita ka kërkuar nga Qeveria që ta shkarkojë Berishajn, por kjo nuk ka ndodhur.
E presidentja Osmani, ka thënë se nuk është kompetencë e plotë e saj që ta bëjë një shkarkim të tilllë, por shtoi se në të njëjtën kohë nuk mund ta shpall fajor Berishajn pa vendim të gjykatës.
Ajo tha se në takimin e fundit kishte vendosur që mos ta ketë Berishajn gjatë vizitës zyrtare.
“Nuk kam pasur komunikim me të, nuk e kam takuar. Nuk ka qenë me mua në vizitën e fundit (në Kroaci). Sepse kështu kam vendosur. Nuk ka pasur nevojë sepse e kam pasur stafin tim, dhe mendoj që ka shumë gjëra që duhet të sqarohen për të mirën e të gjithëve dhe për të mirën e imazhit të politikës së jashtme të Kosovës”, ka thënë Osmani në “Kallxo Pernime”.