Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj, ka thënë se bllokada e kufirit me Kosovën nga ana e Serbisë, është “vepër” e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë se sipas Vuçiqit, një hap i tillë, do të shkojë në favor të serbëve, në takimin e ardhshëm në Bruksel mes të dyja vendeve.
Për këtë, ai ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, e cila siç ka thënë Gecaj, ka marrë veprime të pakoordinuara me aleatët e Kosovës, në veri të vendit.
Hysen Gecaj
“Bllokada e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë nga ana serbe, bëhet me direktivat e presidentit serb Vuçiq dhe është në vazhdën e hapave të radhës së viktimizimit të popullit serb të Kosovës në veriun e Kosovës për qëllime politike.
Tani pas disa veprimeve të pakoordinuara me ndërkombëtarët në veri nga ana e qeverisë së Kosovës, Vuçiq vlerëson se një bllokadë e tillë shkon në favorin e serbëve në raundin e ardhshëm të bisedimeve në mes të dy qeverive”, është shprehur eksperti.
Ai ka paralajmëruar se takimi i ri në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, do të jetë më kompleks për Kosovën.
Ai megjithatë, ka pohuar se vendimi i Kosovës, që eliminoi pesë struktura paralele serbe në veri të Kosovës ditëve të fundit, është në pajtim me ligjet e Kosovës.
“Ky raund i bisedimeve do të jetë edhe më kompleks për Kosovën, sepse serbët ia kanë arritur qëllimit që të “dëshmojnë” para faktorit ndërkombëtar se janë të kërcënuar nga qeveria e Kosovës, për shkak të veprimeve të njëanshme në eliminimin e institucioneve të Serbisë në pajtim me ligjet e Kosovës, por në kundërshtim me marrëveshjet me faktorin ndërkombëtar, i cili është investitor dhe mbështetës i shtetësisë së Kosovës”, ka nënvizuar Hysen Gecaj.
Ai ka përjashtuar mundësinë për eskalim të situatës së sigurisë në Kosovë, për shkak të bllokadës nga përfaqësuesit e shoqatave serbe.
“Nuk pres që në veri të ketë kërcënime serioze të sigurisë, mirëpo veprimet e dy viteve të fundit të qeverisë së Kosovës kanë kthyer fuqishëm Rezolutën 1244 në veriun e Kosovës, çka po dëshmohet dita-ditës edhe me praninë e shtuar të forcave të KFOR-it”, ka shtuar eksperti.
Bllokimi i pikave kufitare, erdhi si kundërpërgjigjje ndaj mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se në pikën kufitare në Jarinje është hequr bllokada për qytetarët me dokumente të Kosovës, dhe tani qarkullimi vijon pa probleme.
Ndërkaq, pikat kufitare në Merdarë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura.