Pse ndërkombëtarët nuk reaguan pas bllokimit të kufijve nga Serbia, flasin analistët

Që nga e premtja në orën 18:00 e deri të shtunën afër kësaj ore, qëndruan të mbyllura dy pika kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Bërnjak dhe Merdar nuk pati qarkullim deri atëherë, kurse pika në Jarinë ishte e hapur për hyrje-dalje.

Kjo pasi qytetarët serbë, andej kufirit po kërkojnë largimin e Policisë së Kosovës dhe kthimin, siç thonë ata, të pronave të uzurpuara të serbëve.

Megjithatë ani pse kanë kaluar 24 orë nga kjo bllokadë nuk ka reagim ndërkombëtar.

I vetmi ishte emisari Lajçak, që pas insistimit të gazetarëve shqiptarë, një ditë me herët tha në Prishtinë se kishte parë njoftimin, dhe shpreson se nuk do të ketë bllokadë, sepse kjo sipas tij ka impakt negativ.

Por, kur bllokada ndodhi ai e as përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nuk u bënë të gjallë.

Këtë mosreagim ndërkombëtar po e sheh të çuditshëm analisti politik Fidan Ukaj.

“Është e çuditshme se si faktori ndërkombëtar nuk ka reaguar dhe po ashtu nuk i ka bërë thirrje, qeverisë së Serbisë, e cila flet për margjinalizimin e qytetarëve serb në Kosovë se një përpjekje e tillë e shkel edhe një marrëveshje ndërkombëtare edhe pse kemi pas një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë”, tha ai.

Ndërkaq, ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha jep opinionin e tij, se a ka rrezik për ekskalim të situatës.

“Bllokimi i kufirit, nga bandat me maska që llogaritet të jenë të mbështetura edhe nga strukturat zyrtare të Serbisë, nuk mund ta minojnë si sigurinë e Kosovës natyrisht se kjo mund të ndodh vetëm nëse ne biem në kurthin e këtyre bandave”, tha ai.

Hoxha thotë se Kosova asesi nuk duhet të ndërhyje dhe vetëm të jetë në kontakt me partnerët ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë./Tv Dukagjini/

Shiko Videon: