Dy pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, ajo në Merdare dhe në Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Kurse, pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës.
Shkak për këtë, është bërë bllokimi i rrugëve pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë, nga përfaqësues nga disa shoqata serbe.
Bllokimi erdhi si kundërpërgjigjje ndaj mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se këto pika do të mbeten të mbyllura, për shkak se persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po ndalojnë dhe legjitimojnë udhëtarët.
Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Arben Dashevci, kjo lëvizje e serbëve është në koordinim me qeverinë atje. Duke folur për gazetën ai ka thënë se strukturat paralele serbe e kanë ndryshuar strategjinë e bllokadave.
“Një bllokadë më parë e paralajmëruar nga serbët e Kosovës, sipas mendimit tim është në koordinim me qeverinë e Serbisë. Pra, e organizuar dhe planifikuar nga strukturat paralele serbe dhe MPB-ja si dhe ushtria serbe, që tash e kanë ndryshuar strategjinë e bllokadave. Më parë i bënin në territorin e Republikës së Kosovës e tash në territorin e Serbisë”, ka theksuar Dashevci.