Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka zgjeruar hapësirën e polemikave rreth cilësisë së fushës së re të stadiumit “Fadil Vokrri”, shkruan express.
Kjo fushë ishte bashkëfinancim mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ai gjatë konferencës së sotme për shtyp e kritikoi fushën e re në stadium, duke thënë se fusha nuk është fare në gjendje të mirë.
“Për herë të parë do të luajmë edhe ne në fushën e re, por me aq sa pash, fusha nuk është në gjendje perfekte”, ka thënë Foda.
Por, Foda nuk është i vetmi që u ankua në cilësinë e fushës së “Fadil Vokrrit”, shkruan “Gazeta Express”.
Saktësisht një javë më parë, ankesat e njëjta i patën edhetrajneri e lojtari i Legias së Varshavës, të cilët madje e cilësuan fushën si “beton”, menjëherë pas ndeshjes kualifikuese për Ligën e Konferencës ndaj Dritës.
“Duke parë skuadrën time, pyesja vetën nëse kishim bërë gjënë e duhur në stërvitje në Poloni, sepse vërtetë nuk mund ta përballonim fushën. Ishte e vështirë për të lëvizur topin, kjo është diçka për të menduar. Ishte një ndeshje në një teren të vështirë, kishte kushte jo të mira. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ngarkesa e nyjeve të futbollistëve pas një ndeshje në një fushë të tillë është më e madhe, duhet të kemi kujdes”, kishte thënë trajneri Goncalo Feio i Legias.
Edhe më i ashpër u tregua Tomas Pekhart, i cili edhe shënoi në ndeshjen ndaj Dritës.
“Ishte një ndeshje e vështirë, në një fushë shumë të keqe. Kjo fushë. Është një terren artificial i mbuluar me gurë. Ju vraponi mbi të si në beton. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në karrierën time”, kishte thënë lojtari i gjigantit polak.
Për këto “ankesa” të mysafirëve nga Polonia, kishte reaguar edhe Agim Ademi, që kishte thënë se fusha është e “standardeve” të larta.
“Arsyetimet e trajnerit të Legias se për shkak të fushës së dobët nuk patëm lojë nuk qëndrojnë, sepse të gjithë e dinë se fusha është hibride dhe e standardeve më të larta, prandaj konstatimet e tilla nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin”, shkruante Ademi në rrjetin social “Facebook”.
Për fushën dhe kualitetin e saj të lartë kishte shkruar edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
“Fusha e re është ndërtuar duke përdorur sistemin hibrid, i cili është fjala e fundit e teknologjisë në botë. Ky sistem garanton qëndrueshmëri dhe performancë të lartë të fushës në çdo kusht atmosferik. Përveç sistemit hibrid, stadiumi tani ka një sistem të përparuar të drenazhimit dhe ngrohjes, i cili siguron që fusha të jetë gjithmonë në gjendje optimale për lojë. Pajisjet e specializuara për mirëmbajtje janë blerë, dhe stafi është trajnuar për tu siguruar që fusha të mbetet në kushte të përsosura për çdo ndeshje”, kishte shkruan ministri Çeku në “Facebook”.
Fusha e re e stadiumit “Fadil Vokrri” qe temë edhe në emisionin e fundit të “Favoritit”, me Taulant Dajakun që e kritikoi FFK-në pse kishte zgjedhur një kompani turke pa “përvojë”, në vend të një kompanie holandeze, që janë eksperte në këtë sferë, derisa tha se kjo fushë “nuk është hibride” por sintetike.
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë nesër ndeshjen e saj të parë në Ligën e Kombeve për edicionin e ri, me “Dardanët” që përballe do të kenë Rumaninë.