Në 25 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, po mbahet një ceremoni, ku po flet kryeministri i vendit. Albin Kurti tha se si kryeministër është krenar dhe mirënjohës për arritjet e Policisë së Kosovës, për shërbimin që ofrojnë me integritet.
Marrëdhënia e Kurtit me Policinë e Kosovës është rregulluar vetëm kur ai erdhi në pushtet.
Tani ai u jep lëvdata atyre, por në vitin 2016, thoshte se “Policia jonë ka vdekur për së gjalli”.
“Unë nuk kam shpresë në sundim të ligjit, zbatim të ligjit prej kësaj policie, të cilës nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizmi. Ua kanë dhunuar, tre policë në Dumnicë, Xhandarmëria serbe ua ka shtrirë në dushk të malit, ratë”, thoshte Kurti.
Kurti thoshte se s’ka kurrfarë zemërimi dhe dëshire për hakmarrje për të gjitha rastet kur policët e Kosovës janë sulmuar.
Ai thoshte se Policia po hakmerret vetëm te Lëvizja Vetëvendosje, që ishte asokohe në opozitë.
“Policia është keq shumë. Është e korruptuar, është e kriminalizuar…”, kishte deklaruar Kurti.