Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti, Nenad Rashiq, është deklaruar kundër hapjes së Urës së Ibrit.
Ky qëndrim i Rashiqit është krejt i kundërt me atë të shefit të tij, kryeministrit Albin Kurti, i cili tash e disa javë ka deklaruar se Ura e Ibrit duhet të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.
Rashiq tha se nuk e sheh të arsyeshme që me hapjen e Urës së Ibrit të rrezikohet progresi në zhvillimin e institucioneve në veri.
“Nuk e shoh të arsyeshme që të rrezikohet ky progres në zhvillimin e institucioneve, progres në integrim të ndoshta, një pjese të serbëve në veri, por integrim domethënës, jo improvizim të integrimit siç kemi pasur”, tha ai.
Ai tutje foli edhe për paralajmërimin për bllokimin e pikave kufitare me Kosovën nga ana e serbëve të Serbisë, duke thënë se kjo s’ka asnjë kuptim.
“Një gjë që s’ka kurrfarë kuptimi sepse në fund të fundit, më së shumti do të jenë të dëmtuar qytetarët serbë të Kosovës”, tha Rashiq.