Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u komentua shumë sot pasi e gaboi zgjidhjen e një ekuacioni matematikor në shkollën fillore “Ali Hadri” në Podujevë. Pas këtij gabimi të tij, Kurti iu ka kërkuar falje nxënësve, por mësuesi që e priti në shkollë po insiston se ai nuk gaboi.
Drejtori i shkollës “Ali Hadri”, madje edhe e arsyetoi kryeministrin.
“Jo nuk e zgjidhi detyrën gabim, thjeshtë u bë e madhe, thjeshte momentin, emocioni, sekondi dhe ai e sqaroi shumë mirë tha po e vendosi 5-she që ju dmth nxënësit të vazhdojnë gjithë me 5-she. Unë e marrë që e bëri me qëllim që nxënësit të marrin 5-she”, tha drejtori për Dukagjinin përcjell Insajderi.
Në një postim të tijin, dje, Kurti shprehu keqardhje për gabimin dhe theksoi se ndjehej i gëzuar që nuk ishte nxënës në atë moment, pasi sipas tij, nuk do të kishte arritur notë kaluese.
“Ju faleminderit për mikpritjen e ngrohtë në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi që ndjeva sot më ktheu në kujtime të bankave shkollore. Megjithatë, më duhet të them se tani jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë moment, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Në fillim, ekuacioni më duket se kishte zgjidhjen x=5; pra pesë, sikurse pesë që ua dëshiroj juve. Por po të kisha menduar pak më shumë, do të kisha kuptuar se zgjidhja e saktë është x=0. Në atë rast, nuk besoj se do të kisha pasur guximin të merrja shkumësin dhe të shkruaja në dërrasën tuaj. Ju kërkoj falje. Ekuacioni i atij ekuacioni, ashtu siç e dini më mirë se kryeministri juaj, është x=0.”, ka shkruar ai.
Gabimi i Kurtit në detyrën e thjeshtë shkaktoi reagime të shumta, tallje e ironi.