Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha të mërkurën se “nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë”, duke komentuar aksionin e së premtes për mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit.
Krasniqi i tha Radio Televizionit të Kosovës se “kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë”.
“Nga pikëpamja ime edhe si ministër është e papranueshme fakti që në territorin e Republikës së Kosovës, fushëveprimtarinë e tyre ta bëjnë edhe komuna paralele. Mbyllja e tyre pas 24 viteve sinqerisht nuk do të duhej të ishte temë, përkundrazi do të duhej të ishte problematikë nëse ne vazhdojmë dhe i lejojmë që ato institucione të veprojnë aty. Nuk ka hapësirë në Republikën e Kosovës për institucionet e Serbisë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. Është obligim ligjor, kushtetues, është mandat jonë që ti mbështesim institucionet tona legjitime atje”, deklaroi Krasniqi.
Pak më herët të mërkurën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se “nuk është e vërtetë se në Kosovë nuk funksionojnë institucionet serbe”, duke përmendur se “janë duke funksionuar dy më të rëndësishmet, shëndetësia dhe arsimi”, raportuan mediat në Beograd.
Vuçiq i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve gjatë një vizite në Podrinje.
Autoritetet e Kosovës të premten e javës së kaluar i mbyllën pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, përfshirë komunën paralele të Mitrovicës dhe kjo nxiti një reagim të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
Ambasadorët e vendeve të QUINT-it u shprehën të shqetësuar dhe të zhgënjyer me moskoordimin për këtë, ndërsa Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europë dhe Euroazi, Jim O’Brien i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i ndërpres veprimet e tilla.
Ndërkombëtarët kërkojnë që çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ata theksojnë “veprimet e vazhdueshme” të Qeverisë pa koordinim, pasi muajin e kaluar u mbyllën disa degë të Postës së Serbisë në veri, për të cilën patën kundërshti gjithashtu.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha të enjten gjatë një vizite në Serbi se partnerët europianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”. Kurti iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij po vendos ligj dhe rend publik.