Djali i Hashim Thaçit ia uron Granit Xhakës nominimin për Top të Artë me foto nga takimi me babanë e tij
I biri i ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Endriti, i ka bërë urim special Granit Xhakës për nominimin e tij për Topin e Artë.
Ylli kosovar u përfshi në Top-30 futbollistët më të mirë në botë nga revista franceze “France Football”, e cila çdo vit e zgjedh lojtarin më të mirë të planetit, shkruan “Gazeta Express”.
E në këtë vit në këtë listë prestigjioze u përfshi edhe futbollisti nga Kosova, i cili u bë shqiptari i parë dhe përfaqësuesi i parë zviceran që nominohet ndonjëherë për Topin e Artë.
Xhaka mori urime gjithandej nga shqiptarët, dhe jo vetëm.
Ndërkohë, atë e uroi edhe Endrit Thaçi, i cili e vendosi në Instastory një fotografi të yllit të Bayer Leverkusenit së bashku me babanë e tij.
“Një shqiptar i nominuar me çmimin prestigjioz Ballon d’Or. I pari shqiptar, lider i Kombëtares së Zvicrës, me një arritje të jashtëzakonshme në futbollin botëror. Urime”, shkroi Endrit Thaçi në foton e takimit mes babait të tij dhe ish-futbollistit të Baselit, Borussia Monchengladbachut e Arsenalit. /Gazeta Express/