Kandidati për kryeministër dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për veprimet e Qeverisë Kurti në Veri të vendit dhe për acarimin me aleatët. Sipas Haradinaj, Kurti jo vetëm që është duke ndjekur agjendën e Serbisë por “është agjent i Serbisë”.
“Jo vetëm agjendë, por Kurti është edhe agjent i Serbisë, punon për ta”, ka thënë Haradinaj në FRONTAL të T7.
Tutje kreu i AAK-së ka thënë se në Kosovë mund të ketë ende njerëz që mund të besojnë se Kurti është patriot, megjithatë thotë se aleatët e Kosovës nuk i besojnë Kurtit meqë ata e dinë të dallojnë patriotin e vërtetë dhe mashtruesin.
“Kurtin ende mujn me e kuptu si patriot. Por aleatët tonë që i shërbjenë vendit vet dhe që vdesin për flamurin amerikan dhe që na rujnë qe 25 vjet e na mbrojnë nuk po i besojnë Kurtit. Sepse dinë ta dallojnë patriotin e vërtetë dhe mashtruesin”, ka potencuar kreu i AAK-së.
Haradinaj ka thënë se nëse Kurti do të kishte dashur, ka mundur të përfundojë problemin e Veriut me planin e Amerikës, megjithatë thotë se diçka e tillë s’ka ndodhur, meqë “Kurti i ka shërby agjendës serbe e ruse”.
Lideri i AAK-së pretendon se këto veprime s’bëhen pa vetëdije.