Pas medaljeve olimpike, pesë medaljet e xhudistëve kosovarë në Kampionatin Ballkanik për seniorë nuk është se bënë shumë bujë. Por medaljet e fituara të shtunën në Sarajevën Lindore megjithatë kanë rëndësi e peshë. Ndër të tjera për të njoftuar serbët e Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë me shtetin e Kosovës dhe sportin e Kosovës.
Kampionati Ballkanik është zhvilluar në sallën “Serbia” në sheshin “Serbia” në Sarajevën Lindore. Po, në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës ka shesh që quhet Serbia dhe sallë që quhet Serbia.
Sarajeva Lindore është pjesë e entitetit Republika Srpska, ku urrejtja ndaj Kosovës e shqiptarëve është e theksuar. Republika Srpska është njëra prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës dhe kontrollohet plotësisht nga serbët. Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës pikërisht për shkak të Republika Srpskas dhe bllokadave që paraqet ajo.
Por serbët në Sarajevën Lindore të shtunën janë njohur me nivelin e xhudistëve kosovarë. Dhe për më tepër, me himnin e shtetit të Kosovës.
“Çka do të thonë për këtë Dodiku e Kosharaci: Himni i Kosovës intonohet në sheshin ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore”, është titulli i shkrimit në gazetën “Slobodna Bosna”.
Ky medium ka njoftuar se në këshillin organizativ të Ballkanikut ishin edhe kryetari i komunës së Sarajevës Lindore, Lubisha Qosiq dhe Miroslav Vujiçiq, deputet serb në Bosnjë-Hercegovinë.
Në Ballkanik kanë garuar rreth 150 xhudistë nga Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania, Greqia, Turqia, Moldavia, Shqipëria e Kosova. Xhudistët e Serbisë refuzuan pjesëmarrjen pasi mori pjesë Kosova.
“Është interesant se pas garimit të garuesve kosovarë në sallën ‘Serbia’, në sheshin ‘Serbia’ në Sarajevën Lindore, është intonuar himni i Kosovës”, shkruan “Slobodna Bosna”.
“Pasi pushteti në Republika Srpska dhe në Sarajevën Lindore nuk e njohin Kosovën si shtet, fillimisht do të mund të mendohej se është ndonjë lëshim i organizatorit. Por kjo është pak e besueshme duke ditur se kush ishte në këshillin organizativ. Mbetet të shihet nëse Qosiqi dhe Vujiçiqi do të kenë pasoja politike për shkak të intonimit të himnit të Kosovës në mes të Sarajevës Lindore”.
Milorad Dodik e Stasha Kosharac, që janë përmendur në titull, janë drejtuesit e serbëve të Bosnjë-Hercegovinës.