Që kur se një ekip arkeologësh në Zakotorac të Kroacisë, bënë një zbulim madhor, jo shumë kohë më parë, duke gjetur jo një, por dy përkrenare ilire rreth 2500 vite të vjetra, media të ndryshme ne rajon, por sidomos në Greqi, s’kanë përtuar t’i epitetojnë si greko-ilire, përkrenaret në fjalë.
Në fakt ka ndodhur që disa herë të përdoren termat “Ilirë” dhe “Ilirë-Grekë” në mënyrë që të përshkruajnë një lidhje ose ndikim të dyfishtë midis ilirëve dhe grekëve të lashtë. Megjithatë, është e rëndësishme të bëjmë një sqarim të thjeshtë: ilirët dhe grekët ishin popuj të ndryshëm dhe kishin kulturë, gjuhë dhe organizim të ndryshëm.
Ilirët ishin një grup etnik i vendosur kryesisht në Ballkanin Perëndimor, në atë që është sot Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe disa zona të tjera të rajonit. Ata kishin një kulturë dhe gjuhë të ndryshme nga grekët, që ishin të vendosur kryesisht në gadishullin e Peloponezit dhe në ishujt e Egjeut.
Megjithatë, gjatë periudhës antike, ka pasur kontakt dhe ndikime ndërmjet këtyre dy grupeve. Grekët kishin kolonitë e tyre në bregdetin ilir, (Këto “koloni”, në konceptin modern ishin si qendra tregëtie, pasi vendbanimet ku vepronin keto “koloni” ishin të banuara shumë më herët nga popullsi vendase Ilire.) dhe këto ndërveprime mund të kenë sjellë një ndihmesë kulturore ose ndoshta shkëmbime të tjera. Megjithatë, kjo nuk ndryshon faktin se ilirët dhe grekët ishin grupe të ndryshme, dhe është e rëndësishme të kuptohet që termi “Ilirë-Grekë” nuk është një përkufizim i saktë për të përshkruar ndonjë grup etnik të veçantë, por ndoshta një përpjekje për të theksuar ndikimet dhe marrëdhëniet ndërkulturore në atë periudhë. Por pse jo edhe të përvetsohet c’të mundet nga nje kulturë e pasur dhe që ka ende thesare për të zbuluar.
Hasan Ceka: Atdheu i përkrenares ilire
(Pashtriku.org, 11. 12. 2012) – Para një gjysmëshekulli, duke trajtuar përkrenaret trake, B.Shrëderi përshkruante edhe disa përkrenare të tipit ilir, të njohura në atë kohë, dhe i quajti këto si përkrenare karakteristike të Ballkanit Verior1. Më vonë, këto përkrenare, duke u mbështetur në faktin se shtrirja e tyre ishte në krahina të Ilirisë, u quajtën me të drejtë si përkrenare ilire 2. Por, kur nga gërmimet gjermane në Olympia filluan të dalin një numër i mirë kësi përkrenaresh, u vu në dyshim prejardhja e tyre ilire, dhe, si rrjedhim fjala ilire u pajis qysh prej asaj kohe me thonjëza. Fillon kështu përpjekja për të gjetur në tokë greke prototipin e përkrenares ilire. Orvatja e parë në këtë drejtim u krye nga E. Kukahni, i cili kujtoi se e zbuloi stërgjyshin e përkrenares sonë në një helmetë të kohës arkaike, të gjetur në ishullin e Qipros dhe e ripagëzoi përkrenaren ilire me një emër të ri, duke e quajtur përkrenare ishullore-ilire 3. Teza e tij se përkrenarja ilire e ka prejardhjen nga simotra e saj arkaike e Qipros, gjeti përkrahje të kufizuar në rrethet shkencore dhe disa arkeologë e përdorin termin ishullore-ilire dhe sot e kësaj dite (kupto vitet e studimit, Dragut). Hulumtues të tjerë, që për njërën ose tjetrën arsye nuk pajtoheshin me emërtimet e sipërme, e pagëzuan përkrenaren tonë helmeta iliro-greke 4 ose edhe greko-ilire 5. Pak vjet më parë, E. Kunce, në një studim të hollësishëm që i kushton përkrenares ilire 6 e hodhi poshtë me plot të drejtë prejardhjen e saj ishullore, por duke u mbështetur në një përkrenare bronxi në formë koni të periudhës gjeometrike, të zbuluar para pak vitesh në Argo të Peloponezit dhe duke dashur të provonte me çdo kusht prejardhjen greke të përkrenares ilire, sheh tani tek kjo prototipin e helmetës sonë.