Eksperti i Politikave të Sigurisë dhe Gjeopolitikës, Ilir Kulla, në emisionin “Matrix” në Tëvë1, ka komentuar gjuhën e trupit të shefit të CIA-s, gjatë takimeve me Kurtin e Osmanin.
Kulla, ka thënë se në foto Burns duket aq komod sikur të jetë në shtëpi të tij dhe se lë përshtypjen sikur nuk ka ardhur ai t`i takojë Kurtin dhe Osmanin por sikur ata kanë shkuar t`a takojnë atë.
“Mua më duket se ai është komod, është në shtëpi të vet edhe po i pret, më duket sikur kanë shkuar presidentja dhe kryeministri ta takojnë drejtorin e CIA-s dhe jo sikur ka shkuar ai t’i takojë.”, është shprehur Kulla.
Ndërsa, dorën në xhep të shefit të CIA-s, Kulla nuk e sheh si mosrespekt, por thjesht komoditet të një personi që ndihet si në shtëpi.
Për të, e rëndësishme është se çfarë është biseduar në takim sesa si duken në foto, sepse sipas tij, vetë prezenca e Burns në Kosovë, është një sinjal i rëndësishëm për të gjithë ata që duhet t`a merrnin këtë sinjal.
“Jo nuk është fare disrepekt, këto janë foto të lëshuara nga institucioni, ai ndihet komod, ndihet në shtëpi të vet. Burns duket bukur në foto si një diplomat tipik kështu që shumë foto interesante. Ky është një lajm i mirë për Kosovën që drejtori i CIA-s ka qenë këtu, kjo është me rëndësi e pastaj si e kishte a nuk e kishte dorën nuk është me rëndësi. Herën e fundit që Fatos Nano e takoi drejtorin e CIA-s, në zgjedhjet e 2005-ës, tre javë më vonë i’u desh të linte pushtetin, kështu që nuk ka shumë rëndësi se si duken po se çfarë kanë biseduar por prezenca e tij në Kosovë është një sinjal i rëndësishëm për ata që duhet ta merrnin këtë sinjal. Pastaj ka treguar që është në shtëpi të vet dhe njeriu në shtëpi e mban dorën ku të dojë”, ka shtuar ai./teve1.info/