Presidentja Vjosa Osmani dhe Mary Elieen Devitt në emër të USAID-it sot kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit për objektivat zhvillimore në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Pas kësaj marrëveshje, presidentja dhe ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, mbajtën një konferencë për media për të treguar përfitimet që kanë qytetarët nga këto fonde.
Duke thënë se populli amerikan është krenar që mund të ofrojë këtë mbështetje, Hovenier këtu përmendi sërish marrëdhëniet e SHBA-së me Qeverinë Kurti.
“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është e pakuptimtë. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime tashmë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti me disa veprime të saj dhe zgjedhje politike të saj. Siç kam thënë, po sfidohemi me Qeverinë e tanishme të Kosovës që kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë”.
Hovenier citoi edhe zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, Mathew Miller.
“Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.
“Por, edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE. Ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet politike të asaj qeverie”.
Hovenier tha se duke e përmirësuar prosperitetin për të gjithë kosovarët, këto fonde të reja do të orientohen nga veprimtaritë dhe programet që do të përforcojnë edhe më shumë ekonominë e Kosovës, mbështesin qeverisjen e mirë dhe shërbimet qeveritare më efektive për të gjithë qytetarët e Kosovës.