Ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se arratisja e “terroristit dhe kriminelit të luftës” Blerim Ramadani nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut është skandaloze.
“Fjala është për një pjesëtar të UÇK-së terroriste që ka kryer krime kundër serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe të cilin Serbia e kërkon për ta gjykuar. Ne kërkojmë shpjegim nga autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut se si është e mundur që dikush që është arrestuar me urdhër të vlefshëm ndërkombëtar të arratiset nga arresti shtëpiak ose drejtësia ndërkombëtare nuk vlen për terroristët dhe kriminelët e luftës shqiptarë, kur ata vrasin serbët, gjithçka lejohet dhe falet”, ka shprehur mllefin e tij Daçiqi.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi informacionin se ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, për të cilin Serbia ka lëshuar urdhër dhe kërkon ekstradim, është arratisur nga arresti shtëpiak, transmetojnë mediat maqedonase.
Blerim Ramadani është arrestuar në korrik të këtij viti në pikën kufitare “Jazhincë”, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të dhënë Interpolit nga Serbia.
MPB-ja e Maqedonisë së Veriut atëbotë kishte konfirmoi se me kërkesë të Interpolit serb, një ish-pjesëtar i UÇK-së është arrestuar në “Jazhincë”. Ministria e jashtme e Kosovës ka njoftuar më 9 gusht se Këshilli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka vendosur që ish-pjesëtari i UÇK-së të mos ekstradohet në Serbi.
Mediat vendase kanë raportuar se Ministria e jashtme e Kosovës ka njoftuar se ish-pjesëtari i UÇK-së do të qëndrojë në arrest shtëpiak në Shkup deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut.
Ramadani më 1 gusht u lirua në arrest shtëpiak në Shkup, ku duhej të qëndronte deri më 16 gusht, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Supreme.