Presidentja u shfaq në Viti me veturë të blinduar të AKI-së mbi gjysmëmilioni euro

Më shumë se 500 mijë euro ka kushtuar Mercedesi G-Class i blinduar, të cilin presidentja Vjosa Osmani është duke e shfrytëzuar për agjendën e saj, teksa është arsyetuar se automjeti i presidencës është prishur, raporton gazeta Paparaci.

Burimet e gazetës Paparaci thonë se Mercedesi G-Class i blinduar është blerë më shtrenjtë se 500 mijë euro. Po të njëjtat burime thonë se ky automjet i blinduar është blerë gjatë vitit të kaluar.

Paparaci raporton se me këtë veturë të blinduar, e para ndonjëherë në Kosovë, endet shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.

Paparaci gjatë ditës së enjte ka dërguar pyetje edhe në AKI dhe presidencë se cila është arsyeja që po e shfrytëzon presidentja për agjendën e saj, por asnjëra prej institucioneve nuk janë përgjigjur.

Pyetje drejtuar AKI
Megjithatë, të enjten pasdite, presidentja ka lëshuar një sqarim ku e përmend se vetura nuk është e presidencës dhe se është duke u përdorur, pasi ajo e presidencës ka defekt teknik.

Por presidenca në reagim ka thënë se vetura i përket institucioneve të sigurisë, pa përmendur AKI-në në këtë rast.

Presidenca është arsyetuar se kjo veturë është shfrytëzuar rregullisht edhe nga institucionet e tjera.

“Tani po shfrytëzohet përkohësisht nga Presidenca ngase vetura që është shfrytëzuar deri tash ka defekt teknik dhe për shkak të vlerësimeve nga institucionet e sigurisë për sa i përket llojit të automjeteve që mund të përdoren për kreun e shtetit”, thuhej në reagim.

Presidenca gjithashtu është arsyetuar se sipas ligjit, siguria e Presidentes, përfshirë edhe çështjet logjistike që lidhen me ofrimin e sigurisë, janë çështje që u takojnë Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në Kosovë