Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit janë çorientuese.
“BE-ja ka theksuar vazhdimisht se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar pozicionin e saj janë çorientuese”, ka shkruar ai.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në negociatat me Serbinë, ka shkruar në “X” se BE-ja është duke kërcënuar me vendosjen e masave shtesë ndaj Kosovës po qe se zbatohet marrëveshja e ndërmjetësuar nga vetë ajo.