Duket se një gjest i kësaj nëne të re ka mjaftuar që të bëhet viral në TikTok dhe njerëzit të shpërthejnë në komente. Rachel Gibbs postoi një video TikTok me më shumë se katër milionë shikime, në të cilën djali i saj 3-vjeçar Sam kërkon të hajë drekën që ajo po përgatit për vete. Gibbs i tha “jo”.
“Nuk është e pasjellshme të thuash, ‘Kjo është e imja’, thotë Rachel Gibbs, nënë e dy fëmijëve.
“Ky është momenti për t’ju kujtuar se ka kufij edhe kur bëhet fjalë për ndarjen e ushqimit me fëmijët tuaj,” tha Gibbs në videon e saj. “Po e bëj për veten këtë vakt, jo për fëmijët. Kjo është dreka e mamit. Ju sapo keni ngrënë drekë, ndërkohë që nuk dëshiroj që ta ndaj këtë vakt me ju.”
Kur Sam pyeti: “Pse?” nëna e tij u përgjigj: “Sepse nuk dua dhe jam e uritur. Nuk kam ngrënë akoma.” Duke iu drejtuar kamerës së telefonit, Gibbs shtoi:
“Ju lejohet të keni kufij të fortë me fëmijët tuaj edhe kur bëhet fjalë për trupin…Ky është prindërim i butë, meqë ra fjala. Unë nuk po e përkëdhel, po tregohem e butë me të dhe kjo nuk është diçka komplekse.”
Kaq mjaftoi që shumë njerëz të komentonin në video duke dhënë mendimet e tyre.
“Gjithmonë e kam urryer faktin kur prindërit e mi më detyronin të ndaja ushqimin tim sepse ‘është e pasjellshme të mos e bëj këtë’, kështu që kjo më bën shumë të lumtur,” tha një komentues.
“Faleminderit për këtë video. Unë ndihem gjithmonë fajtore që nuk e ndaj ushqimin tim me fëmijët,” shtoi një tjetër.
Në mesin e komentuesve, ishin të paktë në numër ata që e kundërshtonin gjestin e nënës së re.
“Ushqimi është një nga gjërat më thelbësore dhe ju ia mohoni atë një fëmije,” tha një syresh.
“Unë nuk mund ta bëj kurrë këtë. Gjithmonë do ta ndaj me fëmijët, nipërit dhe mbesat e mia. Ata mund të shijojnë ushqimin tim nëse kërkojnë. Kjo video thjesht më lëndoi zemrën.”
Por, çfarë është prindërimi i butë?
Sipas Sarah Ockwell-Smith, një eksperte prindërimi, prindërimi i butë lidhet me ndjeshmërinë, respektin, mirëkuptimin dhe kufijtë. “Kur prindërit përpiqen t’i “shpëtojnë” fëmijët nga emocionet e tyre dhe të parandalojnë veten nga ndjenjat e vështira që vijnë me këto veprime, dijeni se është e padobishme,” thotë Smith. Prindërimi i butë përdor strategji bashkëpunimi mes prindërve dhe fëmijëve kundrejt prindërimit autoritar ose tradicional që zakonisht bazohet në frikë apo kontroll.