Çfarë dhurate më të madhe mund të kemi sesa të arrijmë një shekull jetë? Cili mund të jetë urimi më i mirë, cila mund të jetë trashëgimia më e mirë se t’u tregosh njerëzve atë që ke përjetuar nëpër katër e më shumë gjenerata; se e mban mend ”kohën e turkit”, “… t’kralit”, ” … t’bugarit”, “të ‘talianit” apo “kohën e Rankoviqit” e “kohën e komunistit”, po edhe vlimet tjera, si “68-tën”, “81-shin”, të 90-tat dhe luftën e fundit të Kosovës për çlirim….
Arife Hajdari Alidema (04.03.1916) është njëra nga këta njëshekullorë, e cila thotë se “Për ket dynja asht mirë me pasë shnetin, edhe me shkue mirë mes veti”.
Arife Hajdari Alidema jeton në fshatin Pozheran me familjen e saj, anëtarët e së cilët kishin një përkujdesje të veçantë për të.
Bashkëbisedimin me loken Arife e bëmë në ajër të pastër (8 dhjetor 2017). Ajo flet çiltër për jetën dhe kohën e saj, ashtu, krejt qetë: “Përpara u kanë jeta ma e shtirë, skamja u kanë gati në krejt familjet. Po jetën na kanë ba edhe ma të shtirë të hujtë qi gjithmonë e kanë sunue këtë ven’. Ama, me u nalë, s’jemi nalë. Kemi punue shum, sa n’shpi, sa n’fushë… edhe mysafirë ktyniherë kena pas shum, e ju kemi nejtë gati gjithë ”.
Kur flet për vështërsitë e saj në jetë, i mbushen sytë me lot: “Kemi pasë shum heka po ma të mdhajat janë kur ki probleme n’familje lokes… Mue um kanë dekë tre djem, e nana m’i përcjellë fminë asht shum shtirë, s’ka ma shtirë, ata s’harrohen kurrë … se hekat qera harrohen bile as nuk po më kujtohen, veç kur um bjen men për ta um lëshojnë kamtë”.
Lokja Arife nuk i kishte harruar as çastet e rënda të jetës gjatë Luftës së dytë botërore, kohën e Rankoviqit, por ajo që i kishte lënë shumë gjurmë më të keqe ishtë lufta e fundit: “Tana kohtë janë kanë të shtira, lokes, tu fillue pej luftës bugarit, itales e partizanit, po edhe koha e arm’ve, qi i thojnë, koha e Rankoviqit, û kanë e shtirë, ama kapakin ja ka nû kjo e fundit … mos me të lanë as n’shpi tane, veç shkau e ban k’tahen, lokes”.
Mosha e saj e kishte bërë të veten po, për një porosi, lokja Arife nuk harroi; “Për ket dynja asht mirë me pasë shnetin, edhe me shkue mirë mes veti”. /Muhamed Sadriu – ‘Bukuria e Rrudhave’/