Hidajete Kelmendi, ish e burgosura politike ka rrëfyer për veprimtarinë, arrestimin dhe torturat e përjetuara nga regjimi jugosllav përmes Sigurimit të Shtetit të njohur si UDB.
Kelmendi ka thënë se si 17-vjeçare i kishte interesuar historia popullit shqiptar.
Ajo tregoi se si gjimnaziste së bashku me shoqërinë kishin bërë organizime duke shpërfaqur realitetin përmes afisheve.
“Unë bashkë me shoqe dhe shokë kemi bërë organizime, jemi munduar t’iu tregojmë se çka është realiteti përmes afisheve, kemi lexuar libra dhe kemi pas grupin “Ideali”, kemi qenë 7 vajza dhe 2 djem.”
Në vitin 1984, Hidajete Kelmendi ishte privuar nga liria.
Ish e burgosura politike nga rrafshi i Dukagjinit ka thënë se ishte maturante kur ishte arrestuar.
“Më kujtohet se në mbrëmje e morëm vesh që shokët tanë i kapën e i burgosën, i morën ata të UDB-së në shkollë, drejtor më duket ka qenë një, Niman Mulliqi i fshatit Raushiq, nëse nuk gaboj…I mori prej klasave, Havë Shalën, Zyrafete Muriqin, Myrvete Dreshaj, Zoge Shalën dhe Robert Rasaj edhe ai është burgos me 19”, tha Kelmendi në RTVD.
Ndërsa të nesërmen fati ishte i njëjtë edhe për Hidajete Kelmendin, ku më tej rrëfen edhe arrestimin e saj.
Një nga UDB-ashët që kishte shkuar ta merrte Kelmendin ishte, Demë Muja.
“Shkova në dhomë, erdhi nana e më tha, o nanë krejt oborri u mbush me policë e me kerre. Dola, e aty ishte Demë Muja, udbash i Jabllanicës së vogël, 3-4 kerre plotë me policë, më thanë kemi urdhër me të arrest e me bastisë shtëpinë, më beso që edhe WC-në e kanë kontrollu,” rrëfen Kelmendi.
E kur ishte futur në veturë ajo tregon se aty ishte edhe një UDB-ash tjetër, Istref Sadiku.
“Kishin shku me marrë edhe Safete Krasniqin në Leshan, edhe Emine Abazin dhe Avni Haxhaj, tash i thojnë Dardani, atëherë Bërzhenik, kur hyna në kerr ishte edhe Istref Sadiku, UDB-ash.”