Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statitikave të Kosovës, çmimet e konsumit kanë shënuar një rritje prej 2.2 për qind në korrik 2024 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Norma mujore e inflacionit nga qershori deri në korrik 2024 ishte 0.3 për qind, duke dhënë projeksione për rikthim të presioneve inflacioniste, ndonëse me një intensitet më të ulët se në vitet e kaluara kur inflacioni arriti në nivele dyshifrore.
Vitet e fundit ishin ndër më të rëndat për Kosovën në dekada sa i përket shkallës së inflacionit. Kosova e përmbylli vitin 2022 me 11.6 për qind inflacion, ndërsa vitin pasardhës indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend ishte më i lartë në një mesatare prej 4.9 për qind krahasuar me vitin 2022.
Ndonëse krahasuar me vitet paraprake raportet e ASK-së kanë treguar një zbutje të inflacionit muajve të fundit, në muajin korrik është vërejtur një rritje prej 2.2 për qind e inflacionit, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Rritja prej 2.2 për qind nga viti në vit në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) i atribuohet kryesisht rritjes së konsiderueshme të çmimeve në mallra dhe shërbime të ndryshme.
Këto rritje u kompensuan pjesërisht nga një rënie e ndjeshme e çmimeve të perimeve, të cilat ranë me 5.2%, duke lehtësuar lehtë ndikimin e përgjithshëm inflacioniste.
Me inflacionin që arriti në 14.2 për qind në mesin e vitit 2022, qeveria bëri pak për ta frenuar atë, sipas një raporti të Bankës Botërore . Ky inflacion e dobësoi jashtëzakonisht fuqinë blerëse të klasave më pak të pasura në Kosovë.
Rritja eksponenciale e inflacionit ishte ndër problemet më të mëdha më të cilin u ballafaqua qeveria Kurti, me produktet bazë që “preknin stratosferën”.
Një raport mbi “Rrreziqet Globale” i vitit 2023 kishte parashikuar se Kosova do të goditet nga varfëria, inflacioni, dëmet mjedisore dhe përplasjet gjeoekonomike.
Raporti thekson se kostoja e jetesës dominon rreziqet globale në dy vitet e ardhshme, ndërsa dështimi i veprimit klimatik do të dominojë dekadën e ardhshme.
“Dekada e ardhshme do të karakterizohet nga kriza mjedisore dhe shoqërore, të nxitura nga tendencat themelore gjeopolitike dhe ekonomike. “Kriza e kostos së jetesës” renditet si rreziku më i rëndë global gjatë dy viteve të ardhshme, duke arritur kulmin në afat të shkurtër.” – thuhet në raport.