Shkruan:ANALISTI- Skënder Kapiti
Mbyllja e Urës së Ibrit paska qenë komplot ndërkombëtar për ndarjen e Kosovës. Pavarësisht se edhe dihej, por kjo po vërtetohet plotësisht në mënyrën se si po sillen e veprojnë, dhe në mënyrën se si po “këshillojnë” ndërkombëtarët,por edhe në mënyrën se si ata po i bëjnë presion qeverisë së Kosovës për mos-hapjen e saj. Me sa duket Urën e Ibrit e paskan menduar serbët dhe ndërkombëtarët që të hapet pasi të zbatohet marrëveshja e krijimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, të këtij mini shteti serb brenda Kosovës, ku Ura e Ibrit të ishte kufiri ndarës i Kosovës së Veriut me Kosovën.
-Mjerisht në kurth dhe në shërbim të këtij qëllimi paska pas rënë edhe politika e Kosovës e viteve deri kur në pushtet erdhi Albin Kurti, i cili së bashku me qeverinë e tij, dhe në përputhje me vullnetin patriotik të popullit heroik të Kosovës,shqiptarët dhe Kosova arritën që t’a çlirojnë Veriun e Kosovës të pushtuar nga bandat serbe të mbështetura nga Beogradi por edhe nga disa ndërkombëtarë, si dhe nga dakordësia e kryeministrit të Shqipërisë për ndarje të Kosovës, i cili Veriun e saj e ka quajtur “tokë të askujt”. Klasa politike sot jo vetëm ajo kosovare por e gjithë politika shqiptare është para një prove të madhe historike kombëtare, është para provës opozita në Kosovë por edhe politika e Tiranës, si opozita ashtu dhe sidomos qeveria dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ata janë para provës së tyre të madhe, me qëndrimin dhe mbështetjen që ata duhet t’i japin aktualisht qeverisë Kurti për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, në mbështetje të legjitimitetit shtetëror të Kosovës, në forcimin e konsolidimin e pavarësisë, në mbrojtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, në sundimin e ligjit dhe të kushtetutës dhe në asgjësimin e të gjitha strukturave dhe kërcënimeve serbe të cilat kërcënojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Në fakt as opozita në Kosovë dhe as qeveria e Tiranës dhe as opozita në Shqipëri nuk janë askund në këto momente kritike historike për Kosovën , por madje janë me anë të kundërt të saj. Absurditeti i qëndrimit të tyre justifikohet me faktin se kjo gjendje e rëndë sot Kosovës i ka ardhur pikërisht prej dobësisë së opozitës kosovare e cila është autore e të gjitha problematikave që ka sot Kosova, opozitë e cila është mbështetur dhe që ka ndikuar mbi të shumë edhe qëndrimi i çuditshëm kundër dhe në dëm të Kosovës edhe i qeverisë së Shqipërisë, Kryeministrit Edi Rama, por edhe indiferenca totale e opozitës, medieve, intelektualëve dhe të shoqërisë civile në Shqipëri. Kjo kohë vërtetoi faktin se opozita në Kosovë,LDK,PDK,AAK, NISMA si dhe qeveria në Shqipëri dhe opozita shqiptare nuk janë të interesuara për interesat kombëtare,sepse ato janë të korruptuara dhe të interesuara vetëm për pushtet, dhe për këtë qëllim duke shpresuar vetëm te mbështetja ndërkombëtare ata përpiqen të justifikohen me justifikime të bajatshme, mashtruese dhe disfatiste se për çdo gjë duhen pyetur dhe duhet konsultuar me ndërkombëtarët.