Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, ka prishur marrëdhëniet me Shqipërinë, duke i ndalur pensionet për luftëtarët shqiptarë. Sipas Haradinajt, historia do ta njohë Albin Kurtin si “njeriun që e ka rekrutuar armiku”.
Kreu i AAK-së insiston se Kurti është i rekrutuar nga Serbia, teksa përmend, siç i quan ai, dëmet që i ka shkaktuar Kosovës.
Haradinaj ka kritika edhe për lënien e minatorëve pa paga tash e tre muaj, ndërsa kërkon që Kurti të ndëshkohet përmes votës.
“Kurti i ka prishur marrëdhëniet skajshmërisht me Shqipërinë, i ka ndalë pensionin luftëtarëve nga Shqipëria që ka kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës, me arsyetimin që e merrni pensionin e Shqipërisë. Kurti nuk ka lenë asnjë element që do t’i forcojë shqiptarët pa i dëmtuar. Vetëm shikoni ka shkuar në Paris me të gjithë situatën e vet a me ato shpenzime ka mundur të paguajë pagat e minatorëve të Trepçës. Para katër vitesh e ka gjetur me status të zgjidhur kurse tani i ka lenë pa paga. Kurti na ka lanë pa status energjetik. Në Kosovë ka vetëm një detyrë për të gjithë ne që e duam vendin është ndryshimi, pra me votë me largu një kryeministër që është i rekrutuar i Serbisë”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka thënë se zyrtarët qeveritar kanë kërkuar nga Serbia që ta dinë numrin e saktë të ish-ushtarëve të UÇPMB-së.