Nëse për shumë vera është momenti më i mirë për të pushuar, për këngëtarët tonë, është padyshim momenti më i mirë për të çuar më tej karrierën e tyre.
Të shumtë janë ata që sjellin produksione të reja pikërisht në këtë sezon, për të shtuar edhe fitimet e tyre. Në klubet më në zë të vendit, çdo natë ka të ftuar këngëtarë, çfarë e bën atmosferën për turistët edhe më elektrizuese. E për këtë arsye, fitimet e artistëve tanë, përgjatë këtij sezoni edhe më të larta.
Vlerat e tyre përgjatë verës shtohen, duke shtuar kështu paratë. Në treg vlera e artistëve prej shumë kohësh është thuajse e njëjta, duke pasur një klasifikim fiks mes personazheve që paguhen më shumë për koncertet e tyre live. Por këtë verë, duket se edhe ky treg ka pasur ndryshime të mëdha, duke rrëzuar nga froni disa artistë dhe duke rikthyer në listë disa të tjerë.
Një emër që këtë verë ka ‘bërë namin’ është pikërisht Xhensila Myrtezaj. Artistja, e cila ka shumë vite që është pjesë e tregut muzikor, këtë sezon ka arritur kulmin. Këngëtarja ka mbajtur deri në 3 koncerte brenda një ditë, duke qenë ndër emrat më të kërkuar të muzikës. Shkak për këtë janë bërë edhe këngët e reja që ajo ka sjellë në muajt e fundit. Por nuk mund të lëmë pa përmendur edhe divorcin e këngëtares. Pak para verës, ajo dhe Bes Kallaku, i dhanë fund martesës së tyre disa vjeçare.
Tashmë si single, duket se Xhensila është ndër vajzat më të kërkuara në koncerte. Tarifat e saj kanë arritur deri në 5 mijë euro këtë verë. Nëse i hedhim një sy pak viteve më parë, ajo kishte tarifa në 2 apo deri në 3 mijë euro, ndaj rritja për Xhensilën ka qenë e madhe.
Një tjetër emër që këtë verë ka ‘rënë nga froni’ është edhe Luiz Ejlli. Fenomeni i “Big Brother VIP 2”, vitin e shkuar ka qenë absolutisht këngëtari më i kërkuar dhe më i paguar. Tarifat e tij kapnin vlerën e 10 mijë euro, duke mbushur klubet plot. Madje, Luizi ndërmori dhe një tur në Angli, SHBA dhe Kanada ku shumat që fitonte arrinin vlerën e 30 mijë dollarë.
Por këto ditë tashmë duket se i përkasin të shkuarës. Pas një viti që është pjesë aktive e muzikës live, pagesat për Luizin janë përgjysmuar. Madje, këngëtari këtë verë nuk ka shkuar më larg sesa Kosova apo Maqedonia e Veriut për të intepretuar. Duket se fama e “Big Brother” po venitet avash avash për Luizin, ku ndonëse është ende ndër personazhet më të pëlqyer, tarifat për të janë reduktuar në gjysmë.
Ndërkohë që krejt ndryshe ka qenë kjo verë për Ledrin. Artisti, prej vitesh vijon të mbajë fronin si personazhi më i paguar, jo vetëm në verë, por përgjatë gjithë sezonit. Që pas ndarjes së tij nga Sara Hoxha, duket se Ledri si mashkull beqar është edhe më i pëlqyer. Koncertet e Ledrit prej shumë vitesh vijojnë të jenë më të frekuentuarat, duke mbushur klubet. Reperi, vijon të paguhet në 5 mijë euro për një natë live si dhe për koncertet në vende të largëta ky çmim dyfishohet.