Incidenti që ndodhi në Maqedoninë e Veriut, ku e përfshirë ishte Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, të cilës iu kërkua çanta e telefoni për verifikim, e ku pati edhe fërkime fizike, siç duket s’po ndalet së agravuari. Bash në ditën e vizitës së Kurtit me tre ministrat e tij në Maqedoninë e Veriut, shteti fqinj ka ndërmarrë tjetër veprim në lidhje me këtë situatë.
Çka ndodhi?
Presidenca e Kosovës, e kishte falënderuar shefin e Departamentit për siguri personale të Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, i cili sipas tyre kishte shkuar për t’i dalë në ndihmë Presidentes Vjosa Osmani, e për ta qetësuar situatën.
Në anën tjetër Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut Pençe Toshkovski përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, këtë të hënë ka njoftuar se për shefin e sigurisë së Kryetarit të Kuvendit, është ngritur kallëzim penal e është pezulluar nga puna.
“Policia, ka paraqitur kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të ekzistimit të shkaqeve të dyshimit se ka kryer veprën penale të “Rrezikimit të sigurisë” nga neni 144 i Kodit Penal dhe veprës penale “Parandalimi i zyrtarit. nga kryerja e një vepre zyrtare” nga neni 382 i Kodit Penal.” – thuhet në postimin e Ministrit të Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Verut.
Tutje, Toshkovski ka shtuar se “ndaj punonjësit të policisë S.S. dhe do të shqiptojë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës – pezullim deri në përfundimin e procedurës disiplinore”.
Çfarë tha Mickoski për incidentin?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, në konferencë të përbashkër për shtyp me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti shprehu “keqardhje” për incidentin në aeroport të Shkupit ku Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u gjet në një predikament të rëndë kontrolli sigurie.
“Kjo për ne shkaktoi një ndjenjë dhe na vjen keq, dhe s’duam të përsëritet. Personalisht thekosva se Presidentja e Kosovës është e mirëseardhun, si të gjithë qytetarët e Kosovës. Dhe do ta kisha kënaqësi ta pres si nikoqire në aeroportin e Shkupit”
Micovski la të kuptohet se këto kontrolle janë normale.
“U nënvizua se sipas informacionet që kemi nga aeroporti, ndiqen standarde të qarta kur kemi fluturime komerciale, dhe edhe unë i nënshtrohem këtyre procedurave”, ka thënë ai.
Presidenca e Kosovës e falënderoi sigurimin e Gashit
Sipas Presidencës së Kosovës Osmanit në ndihmë i ka dalur, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, përçka presidenca edhe e falënderoi të njejtin.
“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar.” – thuhet në reagimin e Presidencës.
Kabineti i kryeparlamentarit Gashi: Sigurimi ynë ka ndërhyrë për ta qetësuar situatën
Kabinteti i Kryekuvendarit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, kishin reaguar ditën e incidentit.
Meqenëse në mediat maqedonase, u raportua se sigurimi i Gashit krijoi incident në aeroport, duke e nxjerrë edhe revolën, nga kabineti i Gashit kanë thënë se roli i personelit të sigurimit të kryeparlamentarit ka qenë, që ta qetësojnë situatën.
“Personeli i sigurimit të kryeparlamentarit Gashi, të cilët janë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë ndërhyrë për ta qetësuar situatën dhe për t’i udhëzuar kolegët e tyre për procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP. Me këtë rast theksojmë se çdo raportim që e sugjeron të kundërtën është tendencioz. Pas kësaj u bëjmë thirrje edhe mediave që kanë raportuar për këtë ngjarje, që ta verifikojnë informacionin e tyre para se të publikojnë pretendime të tilla dhe të veprojnë me përgjegjësi profesionale dhe etike”, thuhet në reagim.
Ndryshe Presidenca e Kosovës e ka quajtur provokim të pastër incidentin në Aeroport, derisa Kryeministri Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Maqedoninë e Veriut, këtë të hënë, tha se “nuk ka një qëndrim institucioonal për këtë çështje.”.