A duhet të merrni medikamente dhe suplemente në plazh? Farmacistja Fiori Llanaj jep këshillat e duhura

Nga : Fiori Llanaj / Farmaciste

Gushti erdhi dhe jemi zyrtarisht në muajin më të zjarrtë të pushimeve. E ndërsa të gjithë përgatisin valixhen e tyre me rrobat dhe gjërat më të rëndësishme më duhet të përmend që një rol shumë të rëndësishëm kanë gjithashtu medikamentet apo suplementet e ndryshme që njerëzit marrin me vete për të shmangur çdo të papritur gjatë pushimeve. Në rrjete sociale kam parë që ndoshta nuk u kushtohet rëndësi ruajtjes së duhur të medikamenteve ndaj dëshiroj të ndaj me ju arsyet kryesore se pse është kaq e rëndësishme që suplementet mos të bëjnë xhiro nëpër diell e mos të qëndrojnë për orë të tëra në temperatura të larta!

Si një farmaciste, duhet të sigurohem jo vetëm në këshillimin dhe marrjen e duhur të tyre, por ama të sigurohem që medikamenti ruan fuqinë dhe efekasitetin e tij gjithë kohën! Temperatura e lartë mund ti bëjë barnat joefektive ose edhe të rrezikshme nëse nuk kujdesemi në ruajtjen e tyre. Medikamentet duhet të ruhen në paketimin e tyre origjinal të prodhuesit (i cili përmban informacione të rëndësishme si emri i barit, data e skadencës dhe udhëzimet për përdorim) të mbrojtura nga çdo efekt negativ i faktorëve të jashtëm. Dy ndër faktorët e jashtëm që ndikojnë në cilësinë e produktit janë drita dhe temperatura.

Drita

Dëmton cilësinë e barnave, si rezultat i uljes së përqendrimit të lëndës vepruese, çaktivizimit të tyre ose shfaqjes së disa produkteve të shpërbërjes. Mund të shkaktohen disa reaksione kimike nga energjia e dritës, e cila mund të aktivizojë disa molekula. Masat që merren: Duhet të ruhen në rafte të mbyllura ku nuk depërton drita dhe të mos hapen shpesh. Të ruhen në enë qelqi dhe që nuk lejojnë depërtimin e dritës.

Temperatura

Edhe pse temperatura shikohet në dy aspekte (veprimi i temperaturës së lartë e të ulet) duhet të theksojmë që ajo e lartë është më e dëmshme. Nën veprimin e nxehtësisë : Kripërat mund të humbasin ujin e kristalizimit. Disa lënde të lëngshme avullojnë, pomadat e supozitorët (psh takipirin supostë që nënat marrin me vete për temperaturën) mund të shkrijnë.

Disa këshilla përpara se te merrni barnat kur shkoni me pushime: Duhet të ruhen në një vend të freskët dhe të thatë, temperaturë deri në 25 gradë dhe lagështirë deri në 60 përqind, larg dritës së diellit dhe nxehtësisë.

Këshilla kryesore gjatë udhëtimeve është shmangni ruajtjen e ilaçeve në bagazhin e makinës, sepse nxehtësia është më e madhe. Madje perfekte është që ato ti vendosni në një çantë termike dhe ti mbani me vete në dorë. Nëse vini re se ilaçi që merrni zakonisht ka ndryshuar formë ose pamjen, mos e përdorni atë! Kontrolloni rregullisht datën e skadencës dhe hidhni ato që janë skaduar.