Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të mërkurën ka zhvilluar një takim me krerët e partive opozitare për të arritur një marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Pas përfundimit të takimit, Osmani njoftoi se janë pajtuar me opozitën që të bëhet analizimi i të gjitha datave të propozuara për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Disa parti preferuan 26 janarin, tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe, kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, theksoi Osmani.
Partia në pushtet mungoi në takimin e së mërkurës, pasi kreu i partisë, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar po në atë ditë një takim me ambasadorët, ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca, nuk është pranuar nga Osmani të jetë prezent në takim, pasi sipas saj ka qenë vetëm me krerët e partive.
Lidhur me temën e zgjedhjeve, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë folur për Front Online.
Deputeti i VV-së: Opozita nuk është e gatshme për zgjedhje të rregullta
Deputeti i VV-së, Halil Thaçi ka deklaruar se opozita nuk është e gatshme për zgjedhjet e rregullta e lëre më për të parakohshmet.
Sipas deputetit të VV-së, vendi do të përballet me zgjedhje të rregullta.
“Tashmë jemi në gjysmën e dytë të vitit dhe sigurisht që veç se po afrohet koha për zgjedhje të rregullta, për mendimin tim nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme sepse opozita as për zgjedhjet e rregullta nuk është e gatshme e lere më për të parakohshme”, deklaroi Thaçi.
Deputeti i PDK-së: Kurti është dashur të jap dorëheqje më herët për dëmin që ia ka shkaktuar vendit
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka deklaruar për Front Online se për të shkuar zgjedhjet në mënyrë të drejtë, partitë politike duhet të angazhohen në dialog konstruktiv.
“Është e rëndësishme që partitë politike të tregojnë përgjegjësi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv, për të siguruar që proceset zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe në kohë. Legjitimiteti i kësaj qeverie përfundon më 14 shkurt 2025, prandaj duhen respektuar standardet dhe afatet kushtetuese, të cilat janë imperativë”, ka thënë Berisha.
Berisha thotë se Kurti është dashur të jap më herët dorëheqje për dëmin që ia ka shkaktuar vendit.
“Dorëheqja e Kurtit duhej të ndodhte për shkak të dëmit që i ka bërë vendit me marrëveshjet e dëmshme gjatë këtyre viteve të qeverisjes dhe dialogut. Tani, dorëheqja e tij vetëm sa e fut vendin në rrethin vicioz të nenit 90, pika 5, të Kushtetutës”, tha Berisha.
Nënkryetari i LDK-së: Kurti duhet të dal të jap dorëheqje pasi nuk ka dijeni për udhëheqjen e Kosovës
Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë folur për Front Online lidhur me zgjedhjet në Kosovë.
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka deklaruar se partia ku bënë ai pjesë janë çdo herë të gatshëm për zgjedhje.
Ai thotë se Kurti duhet të dal të jap dorëheqje pasi nuk ka dijeni për udhëheqjen e Kosovës.
Muhaxheri theksoi se presidentja Osmani do ta caktojë datën e zgjedhjeve me afat ligjor.
“Osmani i ka filluar bisedimet me afate ligjore dhe besoj që me afat do ta caktojë edhe datën e zgjedhjeve. Ne Kurtit jemi duke ia kërkuar që sa kohë të jap dorëheqje me treguar që s’po din me udhëheq vendin, jemi sa më parë të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Muhaxheri.
Deputetja e AAK-së: Vendi të shkojë në zgjedhje në datën e kërkuar nga opozita
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka deklaruar për Front Online se presidentja Osmani duhet ta qojë vendin në zgjedhje në datën e kërkuar nga opozita.
Ajo tha se partitë janë duke e pritur vendimin e Osmanit, pasi i kanë prezantuar idetë e tyre.
“Osmani e ka obligim ligjor që t’i ftojë për përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Opozita e ka dhënë një opsion për zgjedhje dhe po presim vendimin e Osmanit. Meqenëse shumica e partive kanë qenë për një datë mendoj që duhet të shkohet në zgjedhje në datën që është kërkuar”, deklaroi Kadrijaj.
Deputetja Kadrijaj thotë se AAK e ka kërkuar dorëheqjen e Kurtit.
Ajo e ka vlerësuar si përformancë më të dobët që ka pasur Qeveria aktuale.
“E kemi kërkuar që Kurti të dorëhiqet, por s’ka pranuar se a do të ndodh kjo është vendim i Qeverisë. Ai ka thënë që s’ka arsye, por përformanca e kësaj qeverie është me e dobëta ndonjëherë pa asnjë transparencë”, potencoi ajo .
Arifi: Vendi do të shkojë në zgjedhje të rregullta
Njohësi i çështjeve politikë, Dritëro Arifi ka vlerësuar se duke parë zhvillimet politike Kosova nuk do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai nuk ka pritshmëri që Kurti ka gjasa të jap dorëheqje.
“Disa ngjarje nuk varen vetëm nga Qeveria por edhe nga jashtë. Nëse e shohim nga brenda nuk besoj që mund të ketë zgjedhje të parakohshme sepse Kurti është dashur të jap dorëheqje ose të kemi shpërndarje të Kuvendit të cilat nuk mund të ndodhin nuk besoj. Do të shkohet me zgjedhje të rregullta”, deklaroi Arifi.
Partitë opozitare kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.