Haradinaj: Kurti është i rekrutuar nga Serbia dhe përçarës i shqiptarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i rekrutuar nga Serbia, teksa e quan edhe përçarës të shqiptarëve në Luginë.

Kreu i AAK-së ka akuzuar Qeverinë edhe për mospërfshirje të veteranëve në Pagën Minimale.

Kritika ka edhe për përfshirje në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut dhe për kundërshtitë që sipas tij i ka shpërfaqur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë.

Ai ka thënë se Kurti ka përkrahur një Qeveri që policia maqedonase patrullon me ata të Serbisë.

“Të gjitha këto janë agjendë e Kurtit, ai nuk punon për Kosovën për interesat e Kosovës, kam deklaruar se ai është i rekrutuar nga Serbia, ai e kamuflon me një lloj patriotizmi të fitoreve ditore, por ia hup Kosovës fitoret strategjike. Ju e shihi se nuk jemi afër NATO-s, kanë kaluar katër vite dhe nuk kemi asnjë njohje, se kemi forcuar statusin tonë ndërkombëtar, por jo vetëm kaq sot ne jemi të dënuar me sanksione nga BE-ja në vend që të ishte Serbia edhe pas sulmit në Banjskë. Serbia nuk është e dënuar vetëm për faktin e sjelljeve të Kurtit. Ai nuk i shërben shqiptarëve është i rekrutuar prej Serbisë. Po i jap disa shembuj i ka përçarë shqiptarët e Preshevës në mënyrën më të keqe, i ka bë pikë e pesë, është dalë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë të bartësve të saj, Ali Ahmeti. Ai as nuk e di se kënd e ka përkrah në Maqedoni por ka dalë publikisht kundër bartësve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sot në Maqedoni qeveria e re ka marrëveshje për të patrulluar me policinë serbe. Pra Policia e Serbisë patrullon me Policinë e Maqedonisë, këtë qeveri e ka përkrah Kurti”, ka thënë Haradinaj për ekonomiaonline.