Ambasadorët e QUIN-it kanë dal nga takimi me kryeministrin Albin Kurti me një deklaratë të prerë se nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit.
Ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ai i në një deklaratë për media tha se për këtë qëndrim e kanë informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
U takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht”, ka thënë Hovenier.
Ai nuk ka pranuar pyetje shtesë për të folur më tutje mbi këtë çështje.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se çështja e rihapjes së Urës së Ibrit për qarkullim është çështje që i përket dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut.
Ai ka thënë se diskutimet janë duke vazhduar dhe se BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë. Gjithashtu Stano ka bërë thirrje që të shmangen veprimet e njëanshme.
“Bisedimet janë duke vazhduar dhe BE-ja po bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj ndërkombëtarë në Kosovë. BE u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të përmbahen nga çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm”, ka thënë Stano.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar Presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se kjo çështja e urës nuk duhet të bëhet asesi temë e dialogut me Serbinë.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë. 🇽🇰”, ka shkruar Osmani.