Drejtori i Policisë Rrugore në Shqipëri, Altin Qato, është pezulluar nga detyra pas një video skandali që qarkulloi në rrjet.
Në pamje, Qato shihet duke goditur me shpullë një qytetar teksa del nga makina, ndërsa efektivët e tjerë e arrestojnë, së bashku me shoqëruesin e tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku, në një njoftim zyrtar pas publikimit të kësaj videoje ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, për pezullimin paraprak nga detyra të Qatos.
Ndaj tij ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore e rregullores së Policisë së Shtetit, “Sjellja e rendë diskredituese”. Hetimi disiplinor do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë -Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në rradhë deri sa të normalizohej lëvizja, theksohet në njoftimin zyrtar.
Ata sqarojnë gjithashtu se 36-vjeçari E. Q., dhe bashkëmoshatari i tij Gj. K., kanë vijuar t’i bien pa pushim borisë së makinëaa, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe irritim të tyre. Dy të rinjtë janë shoqëruar në ambientet e policisë, ndërsa po hetohen për “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.