Të lumtë Laura – vjen medalja e pestë olimpike për Kosovën

Kosova tashmë i ka pesë medalje olimpike. Po, po, pesë. Dhe atë në vetëm tri edicione të Lojërave Olimpike, ngjarjes sportive dukshëm më të madhe globale.

Sporti?

As që diskutohet.

Xhudoja.

Medaljen numër pesë për vendin e siguroi Laura Fazliu. Ajo e fitoi të bronztë në kategorinë deri 63 kilogramë. Të martën Laura garoi në “Champ de Mars Arena” në Paris. Në praninë e mbi 8000 shikuesve nisi ngadalë, por përfundoi me medalje olimpike. Është suksesi dukshëm më i madh në karrierën e deritashme të 23-vjeçares.

Për medalje të bronztë, Laura e mposhti kroaten Katarina Krishto.

Laura ishte bartëse e tretë dhe kështu në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti me shumë mund kinezen Jing Tang. Ndaj saj lufta u vendos me dënime. Në kohën shtesë kinezja e mori dënimin e tretë dhe fitorja me Ippon i takoi Laurës.

Në çerekfinale, Laura e kishte përballë legjendën e xhudos, francezen Clarisse Agbegnenou. Ndaj saj kishte dy fitore nga e kaluara, por shumë më herët është ditur se do të jetë luftë e vështirë. Clarisse ishte kampione olimpike dhe është kampione e gjashtëfishtë e botës. Është prej emrave më të mëdhenj të xhudos në histori.

Laura nisi me një aksion të mirë. Por i mungoi kujdesi dhe Clarisse realizoi hedhje për Ippon pas vetëm 34 sekondave.

Humbja ishte shok, por jo i pakalueshëm.

Në luftën e parë të repesazhit, Laura ishte shumë e sigurt ndaj kanadezes Catherinë Beauchemin-Pinard. Kishte iniciativën, por edhe kanadezja, bartësja e dytë, shfaqi nivel të lartë. Lufta shkoi në kohën shtesë. 26 sekonda pasi nisi koha shtesë, Laura realizoi hedhje për uazari.

Medalja e Laurës është e dyta për Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Të dielën medalje të argjendtë fitoi Distria Krasniqi në kategorinë deri 52 kilogramë. Të hënën Akil Gjakova u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë.

Laurës në Olimpiadë në këndin e trajneres i ka qëndruar Majlinda Kelmendi, tashmë pjesë e rëndësishme e shtabit teknik të kryemjeshtrit Driton Kuka.

Majlinda e ka fituar medaljen e parë olimpike për Kosovën – të artën në Rio 2016. Në Tokio  2020, medalje të arta kanë fituar Distria Krasniqi e Nora Gjakova. Tashmë në koleksion janë medaljet olimpike me të tri ngjyrat.

Dhe kështu konfirmohet e rikonfirmohet ajo që dihej – ekipi i kryemjeshtrit Driton Kuka i takon nivelit më të lartë botëror.