Drejtoresha e kësaj drejtorie, Arbenita Sopi – Haziri, pati theksuar se kjo u bë për shkak të kujdesjes ndaj bashkëatdhetarëve që t’i marrin shërbimet me kohë, pa pritje e rradhë të gjata në sportele.
Sopi – Haziri, në një prononcim thotë se tash e një muaj qysh nga zgjatja e orarit, janë regjistruar 60 kërkesa për shërbime nga bashkëatdhetarët.
“Për orarin e zgjatur të shtunave kemi 13 kërkesa të shtunën e parë të korrikut, 18 të dytën, 20 të tretën dhe 9 kërkesa të shtunën e fundit”, ka thënë ajo.
Drejtoresha thekson se këto shërbime kanë të bëjnë kryesisht me dokumente të gjendjes civile.
“Shërbime kanë të bëjnë kryesisht për pajisje me dokumente të gjendjes civile si çertifikata dhe ekstrakte, ndërsa gjatë orarit të rregullt kërkesat për regjistrim të fëmijëve të lindur jashtë vendit janë shtuar dukshëm”, ka thënë drejtoresha, duke theksuar se nga data 1 korrik deri më sot kanë regjistruar 140 fëmijë të lindur jashtë vendit, shkruan telegrafi.
Ndryshe, Sopi – Haziri përfundon duke thënë se janë shtuar kërkesat për rikthim të shtetësisë nga bashkëatdhetarët që jetojne në Gjermani.
“Gjithashtu janë shtuar kërkesat nga bashkatdhetarët që jetojnë në Gjermani, për rikthim të shtetësisë”, ka përfundur ajo.