Për mëse dy javë qyteti i Gjakovës mirëpret një prej organizimeve më të veçanta në trojet shqiptare.
Festivali i kulturës, traditës e trashëgimisë ka emrin kuptimplotë ‘Ditët e Shqiptarit’.
Organizime, festivale, diskutime, përbëjnë bërthamën e tij, çka ka sjellë në qytet vizitorë të shumtë. Në një nga netët e këtij festivali ka qenë i ftuar nderi edhe gazetari i Top Channel dhe autori i cikleve ‘Gjurmë Shqiptare’ dhe “Shqipëria Tjetër’, Marin Mema. Ai është vlerësuar për punën e tij të lidhur fort me identitetin kombëtar, dëshmitë, kërkimet dhe trashëgiminë shqiptare.
Në fjalën e tij, gazetari theksoi, se sot më shumë se kurrë është e domosdoshme që shqiptarët të lënë çdo lloj ndasie dhe të ecin bashkë për të ndërtuar një të ardhme më të fortë e të sigurt.
Sipas Marin Memës, ekonomia kombëtare, investimet e duhura, përkrahja, arsimi, duhet të kenë një vend të veçantë dhe gjithçka padyshim e vendosur tek themelet kombëtare. Gazetari vlerësoi veçanërisht organizimin dhe kërkoi që aktivitete të tilla të shtrihen kudo në trojet shqiptare.
Gjakova ka dhënë padyshim një shembull i cili ka gjetur shtytjen e shumë intelektualëve të këtij qyteti, jo më kot në organizim renditen figura të njohura në fusha të ndryshme, të cilët vijnë nga ky qytet. Për më tepër siç ata thonë, ky është vetëm fillimi, sepse ‘Ditët e Shqiptarit’ synon të kthehet në një traditë të rëndësishme që do të vijojë të rritet.