Që dy muaj, katër fëmijët e vegjël të Ramize Krasniqit nuk i kanë gëzuar pagesat mujore prej dhjetë eurosh.
Deri në maj të këtij viti, këto pagesa dilnin në xhirollogarinë bankare të babait të tyre, Elezit. Por, që nga vdekja e Elezit, Ramizja është detyruar t’ua sigurojë jetesën fëmijëve të saj pa ato para.
“Unë s’e kam letërnjoftimin e Kosovës, e kam të Maqedonisë [së Veriut]. Sa ishte Elezi, i merrte në kartelën e tij, në emër të tij. Tash s’po arrij të bëj asgjë”, tregon Ramizja për REL-in.
Ramizja kujdeset për shtatë fëmijët e saj në lagjen Sallahane, të banuar kryesisht me ashkalinj, në Ferizaj. Ajo thotë se nuk ka asnjë burim financiar.
“Më kanë lënë keq, qysh s’më kanë lënë keq?! Unë pa ato shtesa… S’po kam nga t’ia mbaj”, thotë ajo.
Katër fëmijët e saj më të vegjël – nga pesë deri në 16 vjeç – i mbushin kriteret për të marrë shtesat mujore për fëmijë, që Qeveria i ndan për shtetasit e Kosovës që nga viti 2021.
Mbështetja për familjet përmes këtyre shtesave u rrit këtë muaj, kur Qeveria e Kosovës vendosi ta ngritë vlerën në 20 euro për fëmijë ose 30 euro për fëmijë në familjet që kanë tre fëmijë apo më shumë.
Kjo do të thotë se Ramizja tani do të merrte 120 euro në muaj si mbështetje për fëmijët e saj. Por, ajo nuk di se si të aplikojë.
Procedurat e aplikimit në eKosova
Nga data 1 deri më 20 të çdo muaji, prindërit mund të aplikojnë për këto shtesa në platformën digjitale të Qeverisë së Kosovës, eKosova, nëse fëmijët e tyre janë nga 0 deri në 16 vjeç.
Aplikimin parashihet ta bëjë nëna e fëmijëve, duke plotësuar disa të dhëna: numrin e saj personal dhe atë të fëmijëve, emrin dhe mbiemrin, numrin e telefonit, vendbanimin, e-mailin dhe numrin e xhirollogarisë bankare.
Në rastet kur nëna ka vdekur ose nuk jeton me fëmijët, babai i fëmijës mund të bëjë kërkesë për t’i marrë ai paratë.
Meqë bashkëshorti i Ramizes ishte shtetas i Kosovës e Ramizja jo, ai kishte bërë kërkesë që paratë e shtesave për fëmijë t’i dilnin atij në xhirollogari. Tani që Ramizja kujdeset e vetme për fëmijët, paratë do të duhej t’i dilnin asaj.
Por, Ramizja thekson se problemin nuk ka mundur ta zgjidhë edhe tani, dy muaj nga vdekja e bashkëshortit, për shkak se nuk di as ku të drejtohet.
Vebi Mujku, nga Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale, thotë se problemet e tilla janë më të theksuara në mesin e disa komuniteteve, si ato rom, ashkali dhe egjiptian, ku shfaqet edhe problemi i mungesës së regjistrimit në institucionet shtetërore.
“Duhet të rregullohet baza ligjore dhe, për të gjithë ata persona që jetojnë në zona rurale dhe që kanë problem me përdorimin e teknologjisë apo nuk dinë shkrim e lexim, të ekzistojë një zyrë apo një vend ku duhet të orientohen dhe të jetë një zyrtar që duhet t’u ndihmojë”, thotë Mujku për REL-in.
Mujku – i cili më parë kishte qenë drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë – thotë se ky problem mund të zgjidhet përmes organizatave joqeveritare apo Qendrave për Punë Sociale.
Radio Evropa e Lirë më parë kishte raportuar se si një grua në Ferizaj, Gyltene Osmani, ndihmonte rreth 40 familje në ditë, kryesisht nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të aplikojnë për ndihmat qeveritare që jepen në platformën eKosova.
Tani, Osmani tregon për REL-in se nuk e bën më punën e njëjtë pasi që është punësuar në një organizatë tjetër. Për këtë arsye, Mujku thekson se është shumë e rëndësishme që ndihma e tillë të mos lihet në “vullnetin e mirë të qytetarëve”.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) se si planifikon të sigurojë ndihmë për të gjitha komunitetet në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje të drejtpërdrejtë.
“ASHI (Agjencia e Shoqërisë së Informacionit) dhe MFPT ofrojnë informatat dhe këshillimet e nevojshme për përdorimin e platformës eKosova për secilin aplikues. Ajo çfarë kërkohet nga të gjithë aplikuesit është që të kenë të dhënat e përditësuara në Agjencinë e Regjistrit Civil”, thuhet në përgjigjen e MFPT-së.
Për aplikim në ndihmat e ndryshme që jepen përmes platformës eKosova nevojiten pajisje elektronike dhe qasje në internet. Në disa raste, kompjuteri është pajisja më e përshtatshme për këto aplikime për shkak se duhet të ngarkohen dokumente të ndryshme.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se ka dallim të ndjeshëm sa i përket numrit të familjeve shqiptare dhe atyre rome, egjiptiane dhe ashkalike që posedojnë kompjuterë në shtëpi.
Organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VORAE) ka paralajmëruar disa herë se qasja më e vogël në pajisje teknologjike ka bërë që fëmijët e këtyre komuniteteve të kenë më pak shkathtësi digjitale.
Edhe pse ata kanë thënë se e përkrahin idenë e kryerjes së shumë shërbimeve online, kanë bërë thirrje që fillimisht të punohet për ta pasur “popullsinë të përgatitur për këtë gjë”.
Diaspora përfiton
Ndërkohë, meqë të drejtë përfitimi kanë të gjithë fëmijët me nënshtetësi të Kosovës, në listën e përfituesve thuhet se ka edhe shumë fëmijë që jetojnë në vende të tjera të botës.
MFPT-ja ka bërë të ditur se numri i përfituesve është gjithsej 404.967 fëmijë, ndërkohë që, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, numri i fëmijëve rezident në Kosovë është më i vogël.
Sipas rezultateve preliminare të regjistrimit të sivjetmë të popullsisë, numri i fëmijëve të moshës 0-15 vjeç në Kosovë është rreth 372 mijë. Edhe numri i nxënësve në sistemin shkollor të Kosovës – ku nuk përfshihen foshnjat e sapolindura, por përfshihen fëmijët e moshës 17 dhe 18 vjet që nuk marrin shtesa – është më i vogël.