David Loyn, korrespondent i medias prestigjioze BBC, i cili kishte raportuar gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer për intervistën që kishte realizuar me Fehmi Lladrovcin, njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Loyn tha se Lladrovci kishte treguar guxim të madh kur doli publikisht para një media të huaj më 1998.
Në këtë intervistë, Lladrovci, ndër të tjera, kishte thënë: “E di që kjo mund të më kushtojë me jetë”.
“Lladrovci tregoi guxim të madh me daljen para kamerës dhe në intervistë ai pati thënë: “E di që kjo mund të më kushtojë me jetë” dhe sigurisht, më vonë gjatë vitit, ai dhe gruaja e tij vdiqën duke luftuar”, ka thënë gazetari Loyn.
Loyn e përshkruan si karakter ‘karizmatik’ Lladrovcin ndërsa tregon se intervistën e kishin realizuar në një gropë.
“Ishte me humor. Ishte karizmatik. Vëllanë e tij e njeh dhe ai ka personalitetet shumë të ngjashëm. Ai kishte sens humori. Gjetëm një lloj grope të tokë dhe aty mund të xhironim pa na parë askush. Kështu që kishim kohë”, thotë ai gjatë intervistës në “Kallxo Përnime”.
Gazetari i BBC-së tregon se si ditën kur kishin planifikuar ta realizonin intervistën me “Mustaqen” (Fehmi Lladrovcin), policët serbë i kishin shpërthyer gomat makinës së gazetarëve.
“Serbët na ngacmonim mjaft në Prishtinë meqë e dinin se në ishim gazetarë perëndimorë. Po ishte shumë e çuditshme sepse ne kalonim vijat e frontit dhe punktet serbe çdo ditë dhe shkonim në Drenicë, në kodra, flisnim me njerëz, flisnim me civilë, shpeshherë duke u qëlluar nga serbët të cilët më pas na raportonin. Një nga ngacmimet që na bënin ishte se na dëmtonin mjetet. Në mëngjesin kur po shkonim për ta bërë intervistën me “Mustaqen” na i kishin shpuar të gjitha gomat e të gjitha automjeteve tona”- ka rrëfyer Loyn.
Ndërkaq Jeta Xharra, e cila në atë kohë kishte ndihmuar korrespondentin Lyon në intervistën me Lladrovcin si përkthyese, tregon detaj interesant gjatë intervistimit të Fehmi Lladrovcit.