Aliu godet Alban Hysenin: Kjo qeverisje e turpit, po e turpëron Gjilanin para qyteteve tjera!

Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur sot konferencë për medie në selinë e LDK-së në Gjilan.
Në kuadër të paraqitjes së 101 problemeve në Komunën e Gjilanit, sot, nënkryetari i LDK-së dhe shefi i Grupit të Këshilltarëve Komunalë, z.

Avdyl Aliu ka mbajtur konferencë për medie, ku ka paraqitur problemin e radhës.

Aliu para qytetarëve tregoi për shkeljet e mëdha që po bëhen me punësime të kundërligjshme me kontrata në vepër, të cilat po rriten nga dita në ditë, e po tentohet të mbahen sekrete.
Shumica e të punësuarve nuk kanë përgatitje adekuate arsimore për vendet e punës që janë caktuar, pra kanë vetëm shkollim të mesëm apo kanë kualifikime jo adekuate për vendet e punës që i mbajnë.
Kualifikimi ndryshe apo shkollimi i mesëm për disa vende të punës që janë caktuar, paraqesin shkelje serioze, cenojnë rëndë imazhin institucional dhe reflektojnë jashtëzakonisht keq gjatë ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve të Komunës.

Disa nga punësimet e kundërligjshme:

– Një i punësuar me shkollim Msc. i Teknologjisë së Përpunimit në Prerje është në vendin e punës Inspektor i Ndërtimit.
– Dy të punësuar me shkollë të mesme kryejnë punën Inspektor i Shërbimeve Publike.

– I punësuari me shkollë të mesme është Inspektor I Komunikacionit.
– Dy të punësuar me shkollë të mesme jane zyrtarë të tatimit në pronë , kur dihet se sa ekonomisti është i diplomuar bile edhe me master.

– Zyrtar i logjistikës me shkollë të mesme paguhet 690 euro.
– Ka të punësuar me shkollë të mesme dhe pa përshkrim të vendit të punës, veç sa për ta marr një rrogë 407€.

– Zyrtar i IT pa thirrje profesionale, do të thotë nuk dihet as çfarë përgatitje profesionale ka, e sigurisht se nuk ka fare pasi që nuk është dhënë në informatë, pra vetëm për ta marrë një pagë.
Një zyrtar i diplomuar paguhet 350€, kurse një i punësuar me shkollë të mesme paguhet 690€!

Një person me titullin Baçelor i Ekonomikut paguhet 500€ tek Zyra e Avokatit, dhe i njejti person paguhet edhe 500€ të tjera tek Zyra e Kryetarit. Pra, një person me kontratë në vepër paguhet në dy pozita nga 500€, kundërligjshëm.

Abuzimet me punësime duke i keqpërdorur financat publike me kontrata fiktive në vepër, kulmojnë në kabinetin e Kryetarit të Komunës me 20 të punësuar, që bie ndesh me Udhëzimin Administrativ ( MAPL) Nr. 01/2018, ku saktë parashihet stafi i nevojshëm në Zyrën e Kryetarit të Komunës, e që është jo më shumë se 4 zyrtarë mbështetës.

Në Drejtorinë e Inspeksionit janë 8 inspektorë të ndryshëm, e paramendojeni, kurrë në historinë e komunës nuk ka pasur më shumë ndërtime pa leje. 500m2 objekt në lagjen Dardania pa leje ndërtimi, sheshi i mbushur me ndërtime pa leje, ndërsa inspektorët nuk ndihen të gjallë.

Kjo qeverisje e turpit, po e turpëron Gjilanin para qyteteve tjera!