Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare.
Pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar lideri i LDK-së, i cili në atë takim do të shpalos qëndrimin e partisë së tij.
Burime të Telegrafit nga Presidenca bëjnë të ditur se në letrën dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, Presidentja ka ftuar në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00,në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Telegrafi ndërkohë ka kërkuar nga partitë politike të konfirmojnë nëse kanë marr letrën nga presidentja për takimin e 31 korrikut.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar se kanë marr letrën nga Presidentja dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe aty do ta shpalos qëndrimin e partisë.
Deri më tani, zgjedhjet e parakohshme i kanë dashur të gjitha partitë (LVV, PDK, LDK e AAK), por nuk kanë mundur të gjejnë një konsensus se si të arrijnë deri te to.
Në maj të këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës ishte e pajtimit që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
LDK-ja e AAK-ja dëshironin fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. /Telegrafi/