Një përplasje mes Artan Hajrizit, vëllait të të arratisurit Faton Hajrizi dhe opinionistit Vehbi Kajtazit ka ndodhur sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Ka qenë Kajtazi ai i cili e ka pyetur Hajrizin për telefonatën e mbrëmshme që pretendohej se ishte Fatoni, por që sipas opinionistit, ishte po Artani, që fliste në emër të tij.
“Pse keni thirrur mbrëmë tek Ermal Panduri në “Debat Plus” dhe jena paraqitur në emër të vëllait tuaj, Fatonit?”, ka qenë pyetja e Kajtazit.
“Nuk e kam thirrur unë, e ka thirrur shoku i tij”, është përgjigjur Hajrizi.
Diskutimi mes tyre ka vazhduar me tension, ku Kajtazi ka insistuar se ka qenë ai, duke ia kujtuar edhe fjalët që janë folur në atë bisedë.
“Ju e keni thirrur dhe jeni prezantuar mbrëmë në emër të vëllait tuaj, duke thënë që unë nuk jam në Kosovë dhe mos më kërkoni”, ka vazhduar Kajtazi, derisa Hajrizi ka ripërsëritur se nuk e ka thirrur ai, duke thënë se “s’jam marrë me të”.
“Zëri yt ka hyrë në laboratore të forenzikës është krahasuar dhe ju keni thirrur mbrëmë “live” tek Ermal Panduri dhe keni folur në emër të vëllait tuaj. Ju e keni thirrur, është e konstatuar kjo, është e vërtetuar kjo”, është shprehur Kajtazi, gjë të cilën Hajrizi ka vazhduar ta mohoj.