Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Maqedonisë së Veriut për të dërguar në paraburgim 30-ditor ish-ushtarin e UÇK-së nga Zona e Nerodimes, Blerim Ramadani, me qëllim të ekstradimit të tij në Serbi.
Klinaku e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm dhe ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm nga shteti i Kosovës.
“Është e papranueshme që shteti artificial i Maqedonisë e dërgon në paraburgim 30-ditor bashkëluftëtarin tonë Blerim Ramadani me qëllim të ekstradimit të tij në Serbi. Shteti i Kosovës duhet që menjëherë të ndërmarrë hapa në drejtim të lirimit të tij, sepse Serbia kriminale nuk ka të drejtë të gjykojë veteranët e luftës së UÇK-së që kanë bërë luftë në Kosovë për çlirim nga pushtuesi serb,” ka deklaruar Klinaku.
Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër politikanët shqiptarë në Maqedoni për mosveprimin dhe mungesën e solidaritetit ndaj Ramadanit.
“Këta që kanë ndihmuar gjoja ndryshimin e pushtetit të shqiptarëve atje, por edhe ata që thirren se janë ndryshimi, janë të mjerë që nuk po e thonë as edhe një fjalë të vetme,” ka shtuar Klinaku, duke shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes nga përfaqësuesit të popullit shqiptar në organe shtetërore.
Paraburgimi dhe ekstradimi i mundshëm i Ramadanit ka ngritur shqetësime të mëdha në Kosovë, ku shumë zyrtarë dhe qytetarë po kërkojnë veprime konkrete për të mbrojtur të drejtat e veteranëve të luftës së UÇK-së.