E rezervuar për të dhënë informacione përpara medias, Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror Vlora Hyseni paralajmëroi se agjentura ruse dhe ajo serbe kanë mbajtur një qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë.
Teksa raportoi në Komisionin e Sigurisë për punën e institucionit që drejton gjatë vitit që lamë pas, Hyseni tha se në kuadër të misionit që SHISH-I ka është rritur bashkëpunimi me agjencitë e tjera ligjzbatuese.
“Kemi rritur bashkëpunimin me SPAK, Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e përgjithshme të Policisë së Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme. Kryesisht jemi fokusuar në operacione që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin, spiunazhin ku përfshihet kundërvënia ndaj shërbimeve të inteligjencës ruse, serbe dhe shteteve të tjera”.
Opozitën e cila më herët e ka akuzuar se ka bërë një vizitë sekrete në Beograd, drejtuesja e SHISH-it e ftoi të flasë me fakte.
“Të jemi të rezervuar dhe të flasim me prova e fakte kur akuzojmë për ndonjë aktivitet të Drejtorit të Shërbimit.”
Pavarësisht insistimit të opozitës që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura, raportimi përpara deputetëve të Komiisonit të Sigurisë i drejtoreshës së SHISH-it zgjati pak minuta për shkak të informacionit të klasifikuar që Hyseni tha se përmban raporti për vitin 2023.