Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me pjesëmarrjen e saj në Samitin e NATO-s në Uashington, bëri të ditur se ShBA-ja ka konfirmuar mbështetjen e saj për të mbrojtur Kosovën.
Ndër të tjera, në një intervistë për Info Magazine të Klan Kosova, Osmani u shpreh se ishte kërkesë e veçantë e presidentit amerikan, Joe Biden që shtetet anëtare të NATO-s ta rrisin përkushtimin në raport me misionin e NATO-s në Kosovë, njofton Klankosova.tv.
“Ka qenë kërkesë personale e zotit Biden, që shtetet anëtare të NATO-s, ta rrisin përkushtimin në raport me misionin e NATO-s në Kosovë, në mënyrë që të mbrohet paqja, siguria dhe demokracia”, u shpreh e para e vendit.
“Ua siguroj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi e kanë konfirmuar përkushtimin e tyre për ta mbrojtur Republikën e Kosovës në kufijtë e saj aktual”, potencoi Osmani në Info Magazine.