Autorja dhe studiuesja Monika Stafa, e cilëson shkrimtarin Ismail Kadare, figurën për të rëndësishme për përfaqësimin e identitetit të shqiptarëve pas Skënderbeut dhe Marlin Barletit.
Në një intervistë për “Breaking” në Top News, Stafa u shpreh se Kadare ishte përfaqësuesi elitar i kombit shqiptar.
“Ka pasur një përmasë më tepër se evropiane. Pas Skënderbeut dhe pas Marlin Barletit, ishte kryeshenja më e vërtetë e identitetit të shqiptarëve.
Na dha atë që na kishte munguar prej vitesh, që nga koha e Marlin Barletit, identitetin shqiptar. Në ndeshjet e Kombëtares shohim vetëm flamuj kuqezi, tifozeri të çmendur. Ismail Kadare është një tjetër kryeshenjë shqiptare, jo aq me flamurin kuqezi, se sa për të treguar shqiptarinë, në një formë përpunuese, të asaj shqiptarie të tokës shqiptare deri në amshim.
Këtë e them jo vetëm me pasion dhe si dashamirëse e librave të tij, por edhe të një njeriu që nuk do t’i vijë më tokës shqiptare për shumë kohë. Ky ishte një fat, një dhuratë e madhe për shqiptarinë, që lindi pas viteve ’50.
I erdhi Shqipërisë pas viteve ’50, duke filluar që me ‘Frymëzime djaloshare’, që me ato veprat poetike, duke lëvruar më pas me romanet, publicistikë dhe më pas të dramës”, tha Monika Stafa.