Në Bruksel sot janë zhvilluar vetëm takime bilaterale BE-Kosovë, përkatësisht mes shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe kryeministrit Albin Kurti ndaras me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Prezent në takime ishte edhe ndërmjetësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak.
E derisa pritej takimi trilateral, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sërish u kthyen për takime të ndara me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe me emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në takimin e sotëm me shefin e Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka potencuar se Beogradi ka përkushtim të plotë për vazhdimin e procesit të dialogut.
Mirëpo, takimi trilateral në Bruksel sot nuk ndodhi fare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka mbajtur takim trilateral me të dhe përfaqësuesit e BE-së, Josep Borrell, dhe emisarin për dialogun, Miroslav Lajçak.
Anise ishte planifikuar mbajtje e një takimi të përbashkët mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq me palën evropiane, kjo gjë nuk ka ndodhur sot Bruksel.
Vuçiq para mediave në Bruksel ka pohuar se ai është kthyer në takim të ndarë tri herë, dhe përfaqësuesit e BE-së ia kanë transmetuar porositë e Kurtit.
“Nuk ka pasur as takim me Kurtin sepse ai nuk ka dashur apo nuk është lejuar të takohet me mua. Unë jam kthyer në takim tri herë, më kanë përcjellë mesazhet e tij, kështu që unë jam përgjigjur. Ata thonë se ai nuk është gati për takim me mua”, pohoi ai.
“Ishte një takim i suksesshëm, biseduam për të gjitha, do të vazhdojnë, negociatorët kryesorë të martën, pres vazhdimin dhe kemi shumë punë për të bërë, është një punë e vështirë për të gjithë njerëzit tanë që po punojnë shumë. Është shumë e komplikuar, është një situatë e vështirë për popullin tonë në Kosovë, ne do të vazhdojmë të luftojmë”, shtoi Vuçiq, shkruan B92.
Ndërkaq, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se sot Kosova nuk dashti të mbajë takim trepalësh në Bruksel.
Ai në një konferencë për media pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se Kurti kërkoi që Milan Radoiçiq dhe grupi i tij t’iu dorëzohen organeve të drejtësisë në Kosovë.
“Diskutimet ishin siç pritej të vështira, siç kanë qenë gjithmonë. Në fund nuk pati një takim trilateral, Kosova nuk ishte e gatshme për këtë, Kosova nuk dëshironte të mbante këtë takim trepalësh, Serbia ishte gatshme ta bënte këtë”, ka pohuar Borrell.
“Asnjë progres për normalizim nuk mund të arrihej sot, kryeministri Kurti paraqiti tri kushte që të vazhdohet tutje në dialog për normalizim. Citoj së pari: ‘Formalizimi i marrëveshjeve bazike duhet të nënshkruhen nga shefat përkatëse të qeverive, tërheqja e letrës së rezervimit që u dërgua në BE nga ish-kryeministrja e Serbisë, e datës 13 dhjetor 2023, ata po flasin për gjërat që kanë ndodhur gjashtë muaj më parë. Dorëzimi i Radoiçiti dhe grupit të tij paramilitar tek organet kosovare”, ka thënë Borrell.
Më pas, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili konfirmoi se në Bruksel sot kanë pasur disa takime bilaterale dhe nuk ka pasur takim trilateral.
Kryeministri tha se ka pasur tri kërkesa, nënshkrimi i marrëveshjes bazike, tërheqja e letrës së Bërnabiq, si dhe dorëzimi i Radojqitit autoriteteve të Kosovës.
“Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë me 14 shtator, 10 para sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe që prej atëherë nuk kemi pasur takim trilateral. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska, por gjithashtu ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike”.
“Unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes,nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve të cilat i kam theksuar, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse në atë letër ajo thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial, ndërkaq garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit, Milan Radojiçiqit dhe i bandës së tij terroriste, autoriteteve të Kosovës”, tha ai.
Si rezultat, të paktën është arritur një dakordim, që gjatë javës së ardhshme të ketë një takim mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ky takim me shumë gjasë do të zhvillohet me 2 korrik.
“Do të ketë diskutim të kryenegociatorëve në fillim të korrikut, mirëpo nuk do të mund të kemi praktikisht zbatim të marrëveshjes, për çka ne jemi shumë të interesuar, pa e realizuar vullnetin e mirë dhe mirëbesimin e për të cilat ne besojmë se kalojnë nëpërmjet këtyre tri gjërave, nënshkrimit të marrëveshjes bazike, tërheqjes së letrës së Bërnabiqit dhe dorëzimit të Milan Radojiçiqit”, u shpreh Kurti./Klankosova.tv