Politika dhe aktualiteti, të para ndryshe. Shkundja sarkastike e realitetit politik dhe social që jetojmë me një prej figurave më të pëlqyera të humorit shqiptare si edhe një prej personazheve më të dashura të televizionit. Pse Shqipëria është kjo që është, pse shqiptarët janë siç janë, një vështrim plot humor mbi jetën që bëjmë që do t’ju sjellë gjëndje të mirë shpirtërore përpara se të mbyllni ditën tuaj.
I ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Adi Pojana ka qenë moderatori i mirënjohur Blendi Salaj. Ai ka ndërtuar një profil të dallueshëm përmes prezencës mediatike dhe në rrjetet sociale. Nga shtatori 2022 ai është autor dhe moderator i “Wake Up” në Top Albania Radio.
Edhe pse profesioni i tij kryesor mbetet ai i moderimit, Blendi u shpreh se jeta e tij përmbushet edhe nga aktivitete të tjera. Një vlerësim mjaft të madh ai e ka marrë edhe nga ndjekësit në rrjetet e tij sociale, ku ai ndan me ta gjëra mjaft interesante dhe motivuese. A ka dëshirë të bëhet motivues në jetë, nëse mund ta krahasojmë këtu me rastin e Grida Dumës ose Ermal Mamaqit?
Mua më pëlqen t’i ndihmoj njerëzit nëse mundem disi, por nuk më pëlqen kur kjo kthehet në një shfrytëzim të nevojave. Domethënë nuk e paragjykoj që të jetë biznes. Në Bibël thuhet që edhe pastori do të hajë.
Në çfarë kuptimi e kishte këtë?
Në kuptimin që abuzohet me këtë. Thonë po të hidhesh përpjetë bëhesh i pasur për shembull. Në qoftë se ti e bën tamam atë gjë, siç ka njerëz që e bëjnë tamam, por shumica flas edhe për në botë edhe për këtu e bëjnë si një lloj mënyre që…Si ta quaj? Nga këta që shesin shishe magjike. Merre këtë për pjellori. Merre këtë për të bërë para.
A ka pasur ai në jetë motivues?
Unë kam lexuar dhe vazhdoj të lexoj. Ky ka qenë një sport që mësova i vogël dhe në atë kohë kur kemi qenë të vegjël ne nuk kishim shumë shpërqëndrime. Nuk kishte shumë televizorë, rrjete sociale, gjëra nga këto. Kështu që detyroheshe të shkoje tek libri.