“Kusari-Lila me Radojiçiqin ka folur me leje të Albin Kurtit”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka folur pas publikimit të një pjese të bisedës, ku Kusari-Lila dëgjohet teksa komunikon direkt me Millan Radojiçiqin, e ky i fundit i drejtohet serbisht me “Zemljake”.

Ai tha se Vetëvendosje ka treguar që nuk e ka problem të bashkëpunojë as me Radojiçiqin e as me Vuçiqin.

“Fatkeqësisht po duhet të dalin momentet të tilla për t’I shpërfaqë, për të nxjerrë fytyrën e vërtetë. Kjo është keq për Kosovën. LVV ka ndërtu një narrativë tjetër nga ajo që është. Tash po tregojnë që s’e kanë problem me bashkëpunu me askënd. Kanë rënë në grackën e vetë”, ka thënë Selmanaj në FRONTAL të T7.

Duke u ndërlidhur me deklarimet e mëhershme të Simiqit, Selmanaj ka thënë se duhet publikohet e gjithë biseda për të parë se për çfarë ka biseduar Kusari-Lila me personin që SHBA e ka futur në listë të zezë.

“Dolën vetëm pak sekonda. Është me interes që të dalë e gjithë biseda”, ka shtuar Selmanaj.

Ai ka shprehur bindjen e tij që Kusari-Lila me Radojiçiqin ka folur vetëm me lejen e kryeministrit Albin Kurti.

“Unë jam i bindun që Mimoza Kusari e ka bërë dicka të tillë me lejen e Kurtit”, ka thënë Selmanaj.